Në 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, ka folur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka folur në një konferencë shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.
Gjatë një fjalimi ai ka thënë se 25 vjet më parë ishin shuar shpresat e politikës serbe për të zbrazur Kosovën, derisa tutje shtoi se atë kohë populli i Kosovës po i përjetonte ditët e fundit të luftës dhe ato të parat të çlirimit.
“Sikur sot një çerek shekulli më parë, më 10 qershor 1999 NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardimeve. Në Nju Jork Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën autorizonte vendosjen e një force ushtarake e civile në Kosovë…Me këtë u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë që plani I tyre i gjenocidit përmes operacionit ‘patkoi’ të kishte të paktën pjesërisht sukses për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu është shprehur se përvjetorët e tillë ofrojnë një mundësi për të reflektuar për proceset dhe vendmet që i dhanë formë vendit.
“25 vjet më parë, pikërisht më 12 qershor 1999, Kosova doli nga rrënojat e konfliktit dhe shtypjes, duke hapur një faqe të re, duke dalë në dritën e lirisë dhe të respektit. Ndërsa, jemi bashkë këtu në këtë konferencë kushtuar 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, është thelbësore që të reflektojmë mbi udhëtimin që në solli në këtë moment historik”, është shprehur ai.
Aktivitet për shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës kanë nisur nga data 8 qershor e që do të zgjasin deri më 21 qershor. Në kuadër të saj, më 12 qershor do të mbahet seancë solemne në Kuvendin e Kosovës dhe parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës. /Gazeta Enigma.