Kurti: Anëtarësimi në BE, zgjidhje për kërcënimet e Serbisë ndaj sigurisë

Kurti: Anëtarësimi në BE, zgjidhje për kërcënimet e Serbisë ndaj sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia po përpiqet të pengojë përparimin e rajonit në integrimin evropian, duke i kërkuar vendeve perëndimore që të reagojnë duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kurti ka thënë të hënën në konferencën e organizuar Fondacioni Friedrich Ebert (FES) dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës, “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, se Ballkani Perëndimor është i kërcënuar nga shteti serb, duke shtuar se rruga drejt integrimit euroatlantik “nuk bëhet vetëm”.

“Perspektiva euroatlantike duhet të përforcohet. Duke u rreshtuar bashkë me parimet dhe vlerat e NATO-s ata që dëshirojnë me të vërtetë mund të shfrytëzojnë një mori mundësish. Rrugëtimi drejt integrimit euroatlantik nuk është një rrugëtim që mund të niset vetëm…Besoj që përparimi demokratik nuk duhet të merret i mirëqenë…Serbia kërkon që të pengojë përparimin e tërë rajonit. BE-ja dhe NATO-ja janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë…Kërcënimi ndaj sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të adresohet me të njëjtën qasje duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në BE”, ka thënë Kurti.

Sipas kryeministrit, përparimi demokratik i Kosovës duhet të mbështetet nga të gjitha fuqitë.

“Diplomacia parlamentare është e nevojshme sot më shumë se kurrë. Rruga drejt bashkëpunimit rajonal ka edhe pengesat e veta. Ka ende hatërmbetje historike të cilat shpesh herë rrezikojnë që të na ndajnë. Ideja që disa etni raca dhe grupe janë superiore ndaj të tjerave është një paragjykim i vjetër”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shtuar se termi transatlantik për Kosovën është shumë i rëndësishëm, duke theksuar se ideja transatlantike është esenciale për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor.

Related Articles