Kryeministri Albin Kurti doli sot në një konferencë për media ku foli për prapaskenat e takimit të 14 shtatorit në Bruksel, teksa hodhi akuza ndaj përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe presidentit serb, Vuçiq, raporton Gazeta Enigma.
Ai tha se Lajçaku dhe Vuçiq ishin koordinuar në dëm të Kosovës.
“Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës”, theksoi Kurti.
“Në takimin trilateral, u ekspozova përballë një sklenari të cilin z. Lajçak dukej se e kishte dizejnuar kohë më parë. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që shihet mungesa e propozimeve të Serbisë dhe shpërfillet propozimet tona. Gjatë gjithë vitit unë bëjë propozime kreative, në fund foli që Serbia s’ka bërë asnjë propozim. Ne kemi besuar se Lajçak i bënte propozimet midis dy palëve, por kjo s’po del të jetë e vërtetë. Këtu nuk mund ta barazoj, do të ishte edhe e pavërtetë e e padrejtë, dhe nuk e barazoj emisarin evropian me Bashkimin Evropian”, tha Kurti.
Ai tregoi se e kishte prezantuar propozimin e tij për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa tha se ndaj tij Vuçiq dhe Lajçak reaguan “me të njëjtin mendim”, duke e shpërfillur.
“Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë që ky plan është shumë jorealist”, tha Kurti.
Kurti tha se “ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësi, ose s’mund t’i zbatojmë vetëm ato që i do Serbia”.
Kryeministri i Kosovës tha se ndërmjetësit dhe Vuçiqi u interesuan specifikisht për Asociacionin.
Sipas tij kjo mënyrë është aspak neutrale dhe aspak korrekte.
“Kjo logjikë ka vdekur dhe kjo nuk do të ec në republikën e pavarur të Kosovës”, shtoi tutje ai.
Kujtojmë se Kurti të enjten në Bruksel, ka thënë se takimi s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit, para zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”.