“Kurti hapur ka kërcenuar me luftë serbët në Kosovë”, reagon Petkoviq pas vendimit për targat dhe reciprocitetin

“Kurti hapur ka kërcenuar me luftë serbët në Kosovë”, reagon Petkoviq pas vendimit për targat dhe reciprocitetin

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve dhe reciprocitetin me letërnjoftimet për qytetarët serbë që do të hyjnë në Kosovën.



Petkoviq shkon aq larg në deklaratën e tij, duke thënë se Qeveria e Kosovës me vendimet e reja për targat dhe letërnjoftimet, “Albin Kurti hapur ka kërcënuar me luftë serbët në Kosovë”.

“Vendimi i institucioneve në Prishtinë për ndalimin e letërnjoftimeve serbe dhe pas datës 30 shtator heqjen e vlefshmërisë së targave me emrat e qyteteve ‘KM’, ‘GL’, ‘PR’, ‘UR e të tjera, me njoftim se pas këtij afati këto automjete do të konfiskohen, është një goditje e drejtpërdrejtë për të gjithë serbët në jug dhe veçanërisht në veri të Ibrit”, tha Petkoviq në një komunikatë.

“Është e papranueshme që ndaj një kërcënimi dhe njollosje të tillë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të heshtin dhe të pretendojnë se janë të ngathët, derisa Albin Kurti po përgatit fillimin e një konflikti të madh dhe sulmin ndaj serbëve në fund të shtatorit”.

“Me heshtjen e tyre, ata bëhen bashkëfajtorë të drejtpërdrejtë të destabilizimit të ri të situatës në terren, në regjinë e Albin Kurtit, të shkaktuar nga vendimi i ri i njëanshëm i pushtetit në Prishtinë”, ka deklaruar Petkoviq.

“Serbët nga Kosova dhe Metohia nuk do të lejojnë që të persekutohen, të vriten dhe t’u konfiskohet prona e tyre e fituar në mënyrë legjitime dhe këtë duhet ta dinë të gjithë në Prishtinë dhe në Bruksel”, tha Petkoviq.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Sipas komunikatës  me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS.

Related Articles