Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë prezantimit para deputetëve Projektligjin në parim për buxhetin 2023 në vlerë mbi 3.2 miliardë euro, theksoi se viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm në historinë e shtetit të Kosovës sa i përket të hyrave dhe rritjes ekonomike.
Kurti theksoi se ky vit, përveç krizave dhe sfidave globale, mundëson të ketë një konsolidim të financave publike. Sipas FMN-së, Kosova është në vendin e parë që ka arritur një sukses të tillë dhe që është referencë për shtetet të tjera për financave publike.
Prandaj, sipas Kurtit, buxheti për vitin 2023, është në vlerë 3 miliardë e 212 milionë, ndërsa të hyrat buxhetore 2 miliardë e 884 milionë euro.
Kurti përmendi shtimin e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë.
“Kemi një projeksion mjaft pozitiv për vitin e ardhshëm fiskal, buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro, me ç’rast kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë paga dhe mëditje, 493 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime. Ndërsa 1 miliard e 98 milionë euro në subvencione dhe transfere dhe 811 milionë euro për shpenzime kapitale. Për sa i përket projekteve specifike ato reflektojnë në programin tonë qeverisës. Kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet, kjo nënkupton më shumë inspektorë të punës që të mbrohen të drejtat e punëtorëve. Kemi ndarë 296 milionë euro për shëndetësi, më së shumti ndonjë herë që nga prej shpalljes së pavarësisë… Në kontekstin aktual, mbështetja në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes është e rëndësishme, andaj kemi shtuar 300 pozita të reja për policinë dhe kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë. 123 milionë euro parashihet buxheti i përgjithshëm për Ministrinë e Mbrojtjes” , tha Kurti.
Kryeministri Kurti tha po ashtu se në linjë me premtimin e Lëvizjes Vetëvendosje për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, është vazhduar me linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve, ku për këtë vit janë 11 projekte për ndërtimin e çerdheve.
Ai tha se qeveria ka vazhduar mbështetjen për bujqit dhe fermerët për vitin 2023 ku buxheti për ta për herë e të parë e kap shifrën 87 milionë euro.
Sipas tij, me buxhetin e vitit 2023 do të përfshihen në skemë të gjithë fëmijët nën 16-vjeç.
Në fund të prezantimit, Kurti kërkoi mbështetjen e deputetëve për buxhetin e vitit 2023.