Kurti: Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella, anëtarësimi i saj në BE e NATO shërben si frymëzim për ne

Kurti: Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella, anëtarësimi i saj në BE e NATO shërben si frymëzim për ne

Me rastin e Ditës së Shtetit të Republikës së Kroacisë, Ambasada kroate në Prishtinë organizoi një pritje solemne, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës, ambasadorë, diplomatë të akredituar, përfaqësues të komunitetit kroat në Kosovë, ministra në detyrë, ish-zyrtarë të lartë politikë dhe mysafirë të tjerë.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili vlerësoi lidhjet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, duke i cilësuar ato si historike, miqësore dhe të bazuara në vlera të përbashkëta.

“Kjo ditë shënon jo vetëm themelimin e shtetësisë moderne kroate, por edhe vullnetin e qëndrueshëm të një populli krenar për të përcaktuar të ardhmen e tij, për të jetuar në liri dhe për të kontribuar në paqen dhe prosperitetin e rajonit tonë. Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella historike, miqësore dhe të vlerave të përbashkëta. Kroacia ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. Mbështetja juaj, politike, morale dhe praktike, ka qenë e palëkundur që nga atëherë. Për këtë, jemi thellësisht mirënjohës. Sot, ne festojmë shtetësinë tuaj, por edhe partneritetin që na bashkon. Jemi aleatë në paqe, në demokraci dhe në rrugëtimin tonë të përbashkët evropian dhe të besimit të përbashkët”, tha Kurti.

Kryeministri gjithashtu theksoi se përvoja e Kroacisë në integrimet euroatlantike përbën një model frymëzues për Kosovën, duke kujtuar se liria, sundimi i ligjit dhe dinjiteti njerëzor janë themelet mbi të cilat ndërtohen shtetet demokratike.

“Anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe NATO shërben si frymëzim për Kosovën, si një kujtesë e asaj që është e mundur kur një komb udhëhiqet nga parimet e lirisë, sundimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor. Jemi gjithashtu krenarë për komunitetin kroat të gjallë në Kosovë dhe për diasporën shqiptaro-kosovare në Kroaci, të cilat shërbejnë si ura të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Teksa shikojmë nga e ardhmja, le të vazhdojmë të thellojmë lidhjet tona bilaterale në tregti, arsim, kulturë dhe mbrojtje. Së bashku, mund të kontribuojmë në një rajon që është i lirë, demokratik dhe thellësisht i ankoruar në vlerat euroatlantike”, shtoi Kurti.

Related Articles