Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se marrëdhënies në mes Kosovës dhe NATO-s do të vinë duke u thelluar dhe se për këtë s’ka nevojë për brengosje, raporton Gazeta “Enigma”.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Fadil Nura e që kishte të bënte me deklarimin e dikurshëm të Kurtit për një letër ku pretendohej se ish-presidenti Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministri kishte bërë marrëveshje me NATO që FSK nuk do të hyjë në veri të Kosovës, Kurti deklaroi se marrëveshja e cila ishte arritur e që ishte shkëmbim letrash ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e Kosovës.
“Dhe unë vazhdoj të qëndroj prapa asaj që kam deklaruar në shkurt të vitit 2020. Unë nuk kam akuzuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për shkëmbim të letrave dhe s’mund të kërkojë llogari prej tij, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Kosovës që ka vënë firmën për një shkresë të tillë. NJë problematik që i ka rrënjët që 8 vite më parë s’mund të adresohet e rregullohet në një takim të vetëm që ishte takim i parë në selinë qendrore të NATO-s, atëherë e kam çuar këtë çështje në prokurori dhe i mbetet për trajtim. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe NATO-s do të vinë duke u thelluar dhe nuk keni nevojë që të brengoseni”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti poashtu theksoi se kjo është një marrëveshje e dëmshme dhe është fakt që është trashëguar si shumë fakte të mëhershme.
“Por s’mund të rregullojë një të keqe të madhe më një takim të vetëm. Më 19 prill 2019 ka nënshkruar ish kryeministri i Kosovës me ish-kryeministrin e Serbisë marrëveshje me 15 pika 6 prej të cilave i referohen komunave të Kosovës me Zajednicë, e jam habitur se s’ka qenë vetëm një marrëveshje, por ka qenë dy. Njëra në BE që s’është bërë publike e tjetra në NATO. As s’është sjellë në Kuvend si publike, e aq më pak të ratifikohet.Ne dalëngadalë me punë do ta ndryshojmë”, shtoi ai.