Kryeministri, Albin Kurti deklaroi sot se shpreson që Gjykata Kushtetuese ta ndalë “avazin e bllokimit të reformave pozitive e progresiste”.
Duke folur për Ligjin për Fondin Sovran, Kurti ka thënë se ka një vit prej kur ky ligj është në sirtar të Gjykatës.
“Çdo ditë që po kalon është kohë e humbur dhe jashtëzakonisht e vlefshme meqenëse po pengohet shteti jonë në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në ekonominë botërore, teksa ne shënojmë rritjen më të madhe ekonomike të shoqëruar me progresin më të lartë demokratik”, tha ai.
Kurti tha se “Fondi Sovran është jetik për rritjen ekonomike, shtimin e investimeve dhe pasurimin e strukturës së investimeve”, ndërsa e akuzoi Kushtetuesen për bllokim të reformave.
“Urojmë që paralajmërimet opozitare që Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë ligjin tonë për Fondin Sovran të Kosovës, sipas informacioneve të tyre të brendshme, të mos dalin të sakta. Pra, urojmë që të ndërpritet ky avazi i bllokimit të reformave pozitive e progresiste siç ndodhi me ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, me ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, ndër të tjera”, tha ai. / Gazeta Enigma.