Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor

Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestas Mathisen.

Ky ishte takimi i parë njoftues mes Kurtit dhe Mathisenit, ku u diskutuan tema të rëndësishme për zhvillimet në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Norvegjisë, shkruan Gazeta Enigma.

Njëkohësisht, takimi shërbeu edhe si lamtumirë për përfaqësuesin e deritanishëm të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, i cili ka përfunduar mandatin e tij.

Kryeministri Kurti ka falënderuar Blankenborg për angazhimin e tij gjatë periudhës së shërbimit dhe për mbështetjen që Norvegjia ka ofruar për Kosovën.

“Duke shprehur kënaqësinë për takimin me të dy përfaqësuesit, kryeministri vlerësoi marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Norvegjisë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë në zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, për çështjet rajonale dhe temat me interes të përbashkët.

Kryeministri theksoi se Marrëveshja Tregtare mes Republikës së Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, ku përfshihet Norvegjia, paraqet mundësi të reja për thellimin e marrëdhënieve tregtare dhe raporteve bilaterale.

Kurti i ofroi bashkëpunim të ngushtë emisarit të ri, Mathisen, dhe e falënderoi emisarin Blankenborg për angazhimin dhe kontributin e tij të deritanishëm, duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme./GAZETAENIGMA/

Related Articles