Sot Qeveria e Kosovës ka mbajtur seancën solemne në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë me ç’rast kryeministri Albin Kurti ka thënë se shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli Kosovës janë të lashtë.
Kurti ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai ka thënë se nuk mund të kujtohet shpallja e Pavarësisë pa i përmendur ata që dhanë kontribut në ndërtimin e shtetit.
“Vërtetë shteti, Pavarësia dhe Kushtetua janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti jonë është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e demokracisë, barazisë e drejtësisë, prosperitetit dhe përfshirjes. Secili qytetar pavarësisht gjuhës e etnisë, fesë apo prejardhjes është i barabartë para ligjit. Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë. Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të mandatit të ri qeverisës. Punët që na presin janë të shumta por i lartë është qëllimi që kemi para vetës. Mësues e student, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenar duke punuar e forcuar shtetin. Ne si kabinet qeveritar jemi vetëm instrument në realizimin e këtyre qëllimeve”, ka thënë ai.
