Kurti për ftesën e Borellit: Ende nuk kam vendosur nëse do të shkoj në Bruksel

Kurti për ftesën e Borellit: Ende nuk kam vendosur nëse do të shkoj në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ende nuk ka vendosur se a do të shkojë në Bruksel, në një takim të thirrur nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Borrell, një ditë më parë ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

“Në lidhje me ftesën e zotit Borrell që të takohemi në Bruksel, e kam pak të çuditshme sepse kur e pyetëm për një takim në Bruksel javën e kaluar, ai tha se së pari na duhet shtensionim i situatës. Dhe menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrell kërkon takim të nivelit të lartë. Kur përshkallëzimi është i madh sa një mal, atëhërë marr ftesë për takim në Brukesl. Kurse, kur këkrkova vetë takim, thanë se më nevojitet të shtensionoj situatën”, tha Kurti.

“Ende nuk kam vendosur se a do të shkoj, mirëpo do ta informoj me kohë zotin Borrell”, shtoi kryeministri.

Komentet, Kurti i bëri gjatë paraqitjes në një panel në kuadër të Forumit të Prespës që po zhvillohet në Strugë të Maqedonisë së Veriut, më 16 qershor.

Ai gjatë gjatë kësaj paraqitjeje tha se ajo çfarë i duhet rajoint është që Serbia të deklarojë pavarësinë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, dhe të heqë dorë nga politikat e saj, që ai i vlerëson hegjemoniste.

“Jemi në këtë moment problematik, por me marrëveshjen bazë që u dakorduam, që bazohet në njohjen de facto të njëra tjetrës, besoj që mund të normalizojmë marrëdhëniet dhe të qetësojmë situatën në terren”, tha ai.

Kryeministri përsëriti që është i gatshëm të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, kur të përgatitet terreni për të bërë një gjë të tillë, se përndyshe nuk “mund t’ia dorëzojë Republikën demokratike një policie fashiste”.

“Unë nuk mund të kompenzoj Beogradin zyrtar për humbjet e shkaktuara ndaj Serbisë si shtet për shkak të regjimit të Millosheviqit. Kjo është një çështje krejtësisht tjetër dhe ne duhet të ndajmë kërkesat politike nga krimi i organizuar dhe bandat kriminale”, tha ai.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Related Articles