Kurti pret që më 2 maj të trajtohet me urgjencë çështja e të pagjeturve

Kurti pret që më 2 maj të trajtohet me urgjencë çështja e të pagjeturve

Në ditën e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se në takimin me Serbinë, që pritet të mbahet me 2 maj në Bruksel pret që çështja e të pagjeturve të trajtohet me urgjencë, ashtu siç ishte premtuar në Ohër më 18 mars.

Teksa bëri homazhe dedikuar kësaj kategorie, Kurti ka thënë se kjo çështje nuk i ka objektiv vetëm të pagjeturit, por edhe familjarët dhe mbarë popullin e Kosovës. Ai pret nga lehtësuesit e dialogut ta trajtojnë me urgjencë çështjen.

“Në aneksin e marrëveshjes së Ohrit, është urgjente çështja e të pagjeturve. Dhe pres që më 2 maj, ashtu pra me urgjencë, të trajtohet çështja e të pagjeturve, e cila nuk i ka vetëm objektiv të pagjeturit, por edhe familjet e tyre dhe mbarë popullin tonë. Të pagjeturit janë në një situatë të veçantë, ku ankthi është më i madh se pikëllimi, ku zemërimi është më i madh sesa vajtimi. Andaj, pres më 2 maj, nga lehtësuesit e dialogut, siç e kemi thënë në Ohër më 18 mars, kjo çështje të trajtohet me urgjencë”, ka thënë Kurti.

Kurti do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Aty pritet të diskutohet edhe çështja e themelimit të Asociacionit.

Sipas aneksit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi, të arritur më 18 mars, “palët bien dakord që të miratojnë si çështje urgjente Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Homazhe bashkë me Kurtin bëri edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Related Articles