Kurti pret qytetarë ukrainas: Kosova do të vazhdojë mbështetjen për luftën çlirimtare të Ukrainës

Kurti pret qytetarë ukrainas: Kosova do të vazhdojë mbështetjen për luftën çlirimtare të Ukrainës

Kryeministri Albin Kurti me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës ka pritur në Ballkonin e Hapur të Qeverisë qytetarë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.

Kurti ka thënë se Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta.

Ai ka shkruar tutje në Facebook se Republika e  Kosovës do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci.

Postimi i tij:

Në Ballkonin e Hapur, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, mysafirë patëm qytetarë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë.

Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta. Me këtë rast shpreha vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese. Sepse sot qëndresa e Ukrainës dhe qytetarëve të saj është e pashembullt dhe heroike. Ukraina është mburojë e demokracisë evropiane.

Republika e Kosovës do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci, dhe përkrahëse e rezistencës e vendosmërisë së popullit ukrainas, në mbrojtje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit të tyre.

Le të triumfojë lufta e drejtë për liri, kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit të pajustifikuar të Federatës Ruse. Gëzuar Ditën e Pavarësisë për Ukrainën dhe të gjithë qytetarët e saj!

Related Articles