Kryeministri, Albin Kurti nuk ka përjashtuar mundësinë e një sulmi të ri serb në territorin e Kosovës.
Së fundi në një intervistë të dhënë për gjermanen Stern, ai u pyet për mundësitë e një konflikti të ri nga Serbia.
Stern.de: A është e mundur një luftë tjetër në Kosovë?
Kurti: Kemi një fqinj agresiv që nuk na pranon.
Kurti tutje tha se nuk mund të përjashtohet mundësia e një sulmi tjetër nga Serbia.
”Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi sepse nuk varet nga ne. Por ne mbetemi vigjilentë dhe të mbështetur nga trupat tona dhe ato të aleatëve tanë të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmet e shtatorit për të garantuar sigurinë e vendit tonë”, tha ai.
Kryeministri në intervistën e tij për të përditshme gjermane tha se Kosova vazhdimisht e ndjen agresionin serb.
”Përveç kësaj, ne përmbushim standardin e mbrojtjes prej dy për qind të PBB-së duke investuar në ushtri”.
”Nëse ka demokraci, liderët e zgjedhur duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Kjo çon në parashikueshmëri. Por diktatura mbart rreziqe. Pyet veten se çfarë do të urdhërojë një ditë Vuçiq policinë dhe ushtrinë e tij”.
”Ne vazhdimisht e ndiejmë agresionin serb: ata kanë 48 baza të avancuara ushtarake dhe xhandarmërie nëpër Kosovë – në formë patkoi”, u shpreh Kurti.