Kryeministri i Kosovës në një intervistë për DW ka folur për Asociacionin e Komunave Serbe, rrezikun e bosnjëzimit të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe për “Open Balkan” ndaj të cilit është kategorisht kundër, raporton Gazeta “Enigma”.
Gjatë intervistës ai sërish ka ripërsëritur se nuk do të lejohet themelimi i Asociacionit mbi baza etnike.
“Nuk mund të ketë me Kushtetuën e Kosovës asociacion mbi baza etnike. Kjo është bërë në Dejton ku është ndërtuar një ngrehinë që sot quhet Republika Serbe dhe e cila është aty për Beogradin dhe jo për serbët. Ngjajshëm po e dëshirojnë edhe në Kosovë. Shikoni në Bosnje dhe Hercegovinë kemi një shtet që nuk është republikë, e brenda e ka një republikë që nuk është shtet”, tha Kurti.
Kreu i qeverisë kosovare, foli edhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshje me Serbinë.
“Ka edhe shumë elemente të tjera, reparacionet e luftës, të pagjeturit, pastaj raportet ndërfqinjësore e të tjera e të tjera, por në qendër të marrëveshjes si parim që e organizon marrëveshjen, duhet të jetë njohja reciproke, nëse mungon kjo qendër, gjithçka tjetër është e paqëndrueshme, andaj edhe tash e kemi aeroplanin serb Mig-29 në ajër për çështje bukur teknike të reciprocitetit si targat”, theksoi tutje Kurti. /Gazeta Enigma.