Kurti: Synojmë ulje të mëtejme të importeve nga Serbia me masat që do t’i marrim

Kurti: Synojmë ulje të mëtejme të importeve nga Serbia me masat që do t’i marrim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga kreu i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, për rritjen e importeve nga Serbia krahasuar me vitin 2019 e 2020.

Kurti ka thënë se nëse duhet bërë krahasimi, atëherë duhet bërë me gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj, pasi në vitin 2019 ishte bllokada e tarifës njëqind për qind e viti 2020 kishte vit me pasoja për importe për shkak të pandemisë e po ashtu për shkak të reciprocitetit që i ishte vendosur Serbisë.



“Në 6 mujorin e parë të vitit 2018 janë importuar fiks 212.1 milionë euro mallra nga Serbia, 60 për qind më shumë se vlera e importeve në 6 mujorin e parë të këtij viti. Krahas kësaj ulje të ndjeshme të importeve nga Serbia, unë pajtohem se duhet ulur më shumë e synojmë ulje të mëtejme përmes masave që do të marrim. Unë do të prezantoj dy shifra tjera, që ju bën të kuptoni dallimi në qeverisje. Krahasuar me periudhën e vitit 2018, kemi rritje rreth 38 për qind të importeve nga Shqipëria, e rritje 80 për qind të eksporteve drejt Shqipërisë. Ky është synimi afatgjatë i yni. Po ashtu kemi vlerën e 80 për qind të eksporteve me Maqedoninë e Veriut, një aleat tjetër i rëndësishëm për vendin tonë. Kemi strategji të saktë e peisazh të saktë të marrëdhënieve tona tregtare në të ardhmen, e duhet të keni durim e besim. Nuk jemi në vitin e fundit të mandatit, por në muajin e shtatë të tij”, ka thënë Kurti nga foltorja e Kuvendit.

E Haradinaj i është kundëpërgjigjur Kurtit, duke thënë se kur po krahasohet rritja ekonomike nga Qeveria, po merren parasysh vitet 2019 e 2020.

“Po ju konvenon manipulimi”, ka thënë Haradinaj, që e ka pyetur më pas Kurtin për heqjen e masës mbrojtëse dedikuar bllokave nga Serbia.

“Ia keni hequr një masë mbrojtëse, ka qenë e dedikuar për të vështirësuar konkurrencën për bllokadat e Serbisë që të mos ndërtohet me dheun e Serbisë shtëpitë në Kosovë, pasi kemi fabrika të bllokave në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

E Kurti ka thënë se atij vendimi për masë i ka skaduar afati dhe do të vlerësohet e shqyrtohet nëse është arritur qëllimi, para se të merret një vendim i ri.

Related Articles