Pas Samitit të Berlinit, të udhëhequr nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, për të diskutuar mbi vazhdimësinë e procesit të Berlinit dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadoren, Susanne Schütz, Drejtore për Evropën Juglindore, Turqi, OSBE dhe Këshill të Evropës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
“Bashkëpunimi rajonal i qëndrueshëm ndërtohet mbi vlerat e barazisë në mes palëve dhe duhet të jetë në shërbim të avancimit të rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian e jo me qëllim zëvendësimin e tij”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti e njoftoi ambasadoren Schütz për punën dhe arritjet e qeverisë në 100 ditët e para.
Ai tha se menaxhimi i mirë i pandemisë COVID-19, reformat e nisura në drejtësi, luftimi i krimit dhe ruajtja e parasë publike kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e besimit të qytetarëve në institucione.
Ai shtoi se kjo ka ndikuar edhe në indikatorët ekonomik, të cilët tregojnë se në pesëmujorin e parë të vitit, aktiviteti ekonomik është rritur për 15%, të hyrat buxhetore për 30% dhe eksporti për 66%, kurse rritja ekonomike për këtë vit parashihet të jetë 7.9%.
Ambasadorja Schütz e uroi kryeministrin Kurti për detyrën e re dhe punën e tij.
Ajo tha se Gjermania e mbështetë Kosovën në rrugën e saj për integrim evropian dhe e përkrahë bashkëpunimin rajonal në kuadër të procesit të Berlinit. Gjithashtu theksoi rëndësinë e progresit në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. /Gazeta Enigma/