Stadiumi Kombëtar i Kosovës, mbetet vetëm në letër

Stadiumi Kombëtar i Kosovës, mbetet vetëm në letër

Janë bërë dy vite që nga prezantimi i projekti për Stadiumin Kombëtar të Kosovës, për të cilin ishte premtuar se do të nisë së ndërtuari në afërsi të Drenasit, porsa të bëhet përfundimi i procedurave, shkruan Gazeta “Enigma”.

Një gjë e tillë mbetet ende vetëm pikë në horizont. Kjo pasi që lokacioni ku pritet të ndërtohet është bërrë “mollë sherri” midis udhëheqësve të institucioneve.

Në lidhje me këtë, Gazeta Enigma ka kontaktuar kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka folur për deklaratat e tij të fundit rreth çështjes për ndërrimin e lokacionit të Stadiumit nga Drenasi.

“Nuk mendoj se futbollistët tanë të shkëlqyer, publiku i zjarrtë dhe shteti ynë, duhet të jenë pa një vend përfaqësues, të denjë për ndeshjet elitare, aktivitetet sportive ndërkombëtare dhe shtetin tonë të ri”, ka thënë Lladrovci.

Sipas tij, të gjitha faktet e ekspertëve flasin se vendi më i përshtatshëm në Kosovë për stadium nacional është Drenasi.

Ai ka thënë ndërtimi i stadiumit në këtë lokacion ka përparësit e nevojshme si kosto financiare dhe pozitë strategjike.

Lladrovci: Stadioni do të jetë në Drenasë, nuk pres pengesa

I pyetur se a do te vonohen punimet e Stadiumit si rezultat i deklaratave të tij të fundit, Lladrovci ka thënë se nuk e pret një gjë të tillë.

“Deklarata ime nuk mund të nxit reagime e as vonesa sepse, kishte të bënte me realitetin”, është shprehur i pari i Drenasit, për Gazetën “Enigma”.

“Kur mundemi të kemi autostradat më të mira në rajon, si shtet e meritojmë një stadium që na ka hije. Nuk besoj se meriton vonesa stadiumi nacional. Politikat qeveritare i vendosin prioritetet por, nuk pres të zvarritet ndërtimi i stadiumit” ka theksuar ai.

Lladrovi shprehet i bindur se Stadiumi Kombëtar i Kosovës do të ndërtohet në Drenas.

“Jam optimist sepse të gjitha vlerësimet, matjet dhe veprimet e deritashme, kanë qenë pozitive, si vend, si interes publik, si zgjidhje dhe pas studimit të fizibilitetit, ka theksuar ai.

Në lidhje me këtë temë, Gazeta “Enigma” është munduar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.

E në mbledhjen plenare të kuvendit të republikës së Kosovës e mbajtur me 3 dhe 4 qershor të këtij viti, në lidhje me çështjen e ndërtimit të Stadiumit Nacional, ka folur edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili ka thënë se kontrata për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e stadiumit mbetet e pambyllur sepse ka një proces gjyqësor, pasi që MKRS-ja ka paditur operatorin për mospërmbushje të disa detyrimeve në këtë kontratë.

“Auditori ka gjetur se ka pasur paradhënie të kundërligjshme, detyrimet tatimore nuk janë kryer dhe operatori nuk ka pasur përfaqësi në Kosovë dhe i ka pranuar mjetet, përkundër kësaj”, ka thënë ai.

“Në ndërkohë, përkundër të gjitha këtyre parregullsive, çuditërisht operatori e ka gëzuar shumë totale të kontratës, pjesa e fundit e së cilës është ekzekutuar me përmbarues” ka shtuar Çeku.

Më tutje ai ka treguar se në buxhetin e kësaj Ministrie këtë vit figurojnë 50 mijë euro, ndërsa sipas Çekut, parashikimet janë që projektet të kushtojnë mbi 100 milionë euro.

Në këtë mbledhje, ministri ka folur edhe për debatet e fundit rreth lokacionit të stadiumit.

“Përfundimisht ne besojmë se qytetarët e Kosovës meritojnë kapacitete të rritura sportive, si në futboll, ashtu edhe në sporte të tjera, edhe futbollistët tanë meritojnë më shumë dhe jemi të vullnetshëm ta gjejmë zgjidhjen e duhur, por me këmbë në tokë, e jo projekte megalomane, për të cilat nuk kemi mbulesë financiare” ka përfunduar ai.

Me 14 qershor  2019, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës është bërë prezantimi i projektit të Stadiumit Kombëtar të Kosovës.

Ky stadium është planifikuar të ketë vend për 30 mijë tifozë. /Gazeta Enigma/



Related Articles