Kryeministri Albin Kurti është takuar me Zëvendëskryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, në New York, ku Kurti po qëndron për të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shkruan Enigma.
Sipas njoftimit të ZKM-së, Kurti dhe Bettel kanë diskutuar rreth raporteve ndërshtetërore, nivelit të zbatueshmërisë dhe përfitimet nga marrëveshjet bilaterale që dy vendet kanë në fusha të ndryshme, dhe për mundësitë e reja të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare që viteve të fundit kanë shënuar një trend të rritjes.
Kurti ka përmendur edhe fuqinë punëtore profesionale, “si përparësi që Kosova ka për investitorë të huaj”.
“Ai veçoi avancimin dhe potencialin që vendi ynë ka në fushën e informacionit dhe shërbimeve digjitale, dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në drejtim të tranzicionit energjetik, energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës energjetike që ndikojnë për të mirë si mjedisin ashtu edhe ekonominë”, thuhet në njoftim.