Kurti takon ushtruesen e detyrës së shefes së misionit të OSBE-së në Kosovë

Kurti takon ushtruesen e detyrës së shefes së misionit të OSBE-së në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, është takuar sot me ushtruesen e detyrës së shefes së misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor.

Në komunikatë bëhet e ditur se gjatë takimit u theksua bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve tona dhe OSBE-së. Po ashtu, u diskutua edhe procesi i funksionalizimit të plotë të zyrës për harmonizim gjuhësor.

Kjo zyrë do të sigurojë përkthimin e saktë në tri gjuhë të të të gjitha akteve juridike, për më shumë profesionalizëm, efikasitet e realizim të plotë të drejtave themelore. Në vijim, u bisedua edhe për Zyrën e Komisionerit për Gjuhët dhe hapat e radhës për vazhdimësinë e funksionimit të kësaj zyre.

Tutje bëhet e ditur se Kurti e falënderoi Taylor për takimin e bisedën e frytshme duke theksuar rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të dyanshëm.

Pos këtij takimi, kryeministri ka pritur sot edhe përfaqësues të katër instituteve të rëndësishme evropiane të politikave publike: Carnegie Europe, Instituti Jacques Delors – Notre Europe, Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP) dhe Instituti Clingendael nga Holanda.

Në takim, Kurti i informoi përfaqësuesit e organizatave për zhvillimet më të fundit politike, demokratike dhe institucionale në Kosovë, si dhe për prioritetet qeverisëse në këtë fazë të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas komunikatës, ai ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe angazhimin për avancim drejt anëtarësimit në NATO, si pjesë e orientimit të qartë euroatlantik të vendit.

Related Articles