Kurti: Të korruptuarit e kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg

Kurti: Të korruptuarit e kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në lidhje me djegien e veturës së drejtorit të njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija ka thënë se të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e tij me bordin e ShSKUK-së ka përmendur djegien e veturës së drejtorit të njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija, duke thënë se pas një pune intensive të tij janë gjetur shkelje të shumta të dokumentuara në raport përkatës.

“Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofrojë sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy javësh nuk ka arritur t’i rikthejë në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga ‘vetëtima’”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin.

Ndryshe, të hënën e 10 tetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës(ShSKUK).

Në këtë takim, shefi i ekzekutivit është pritur nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi.

Në takim kanë qenë edhe ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, kryetarja e bordit të ShSKUK-së, Aida Rexhepi, si dhe drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija.

Related Articles