Një nga opsionet e mundshme nga ku mund të nisen avionë ushtarak për në Ukrainë, si një vend që nuk është anëtar i NATO-s u përmend edhe Kosova, shkruan Gazeta Enigma.
Lidhur me këto raportime, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka marrë ndonjë kërkesë, por në rast se merr do të konsultohet me të gjitha institucionet e shtetit.
“Ndonëse Kosova nuk është anëtar i NATO-s, NATO është në Kosovë. Ne dëshirojmë që të anëtarësohemi sa më shpejt që është e mundur në një situatë të tillë të jashtëzakonshme. Nuk kemi marrë një kërkesë të tillë për vendin tonë. Kur ta marrim një kërkesë, me Qeverinë e Kosovës, presidenten e vendit dhe Kuvendin, me ministrat e linjës, padyshim që do ta trajtojmë dhe do të japim në kohë rekorde përgjigjen e duhur”, ka thënë Kurti para gazetarëve.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë refuzuar ofertën e Polonisë për t’i dërguar disa aeroplanë MIG-29 nga epoka sovjetike drejt Ukrainës përmes një baze ushtarake amerikane në Gjermani.
Për këtë çështje, të mërkurën ka shkruar edhe mediumi gjerman Tagessachau”, duke treguar se transferimi i drejtpërdrejtë i aeroplanëve për në Ukrainë me sa duket nuk është planifikuar nga SHBA-ja derisa potencojnë se një prej skenarëve të mundshëm është që avionët të rilyhen në bazën e Ramstein në Gjermani dhe pastaj të fluturojnë drejt një vendi joanëtar të NATO-së apo që nuk është anëtar i BE-së.
Siç kishte shkruar “Tagesachau”, Kosova është përmendur si një nga opsionet e mundshme edhe pse ende asnjë vend nuk është përmendur publikisht.