Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë takuar sot kontingjentin e Forcës së Sigurisë që mori pjesë në shuarjen e zjarreve në veri të Shqipërisë.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se kryeministri Kurti i falënderoi pjesëtarët e FSK-së për kontributin e dhënë dhe gatishmërinë për të sakrifikuar jetën e tyre, për të dalë në ndihmë vëllezërve dhe motrave në Republikën e Shqipërisë.
Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se ndër objektivat e tij kryesorë si kryeministër dhe qeverisë që udhëheqë, është investimi edhe më i madh në ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së, të nevojshme për përmbushjen e detyrave ligjore të saj.
Ndërkaq, ministri Mehaj tha se është i përkushtuar që sa më shpejtë të arrihen qëllimet strategjike të qeverisë dhe objektivat operacionalë të tij, si ministër i mbrojtjes, për FSK-në, forcë profesionale dhe e gatshme për të realizuar mbrojtjen e territorit të vendit, mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile dhe pjesëmarrjen efektive në operacionet jashtë vendit.