Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Duke kujtuar mesazhin e kësaj feste, që është sakrifica, Kurti tha se me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë.
“Të dashur besimtarë myslimanë, ju uroj lumturi e gëzim në festën e sakrificës, Kurban Bajramin. Sakrificën që bëhet për qëllim të mirë, e don Zoti, e don edhe shoqëria. Sakrifica e bërë për qëllim të mirë na i gëzon zemrat. Ne humbasim diçka, por fitojmë shumë. Ky është mesazhi i kësaj feste, që ka edhe më shumë domethënie për popujt siç jemi ne, pra jo të mëdhenj e jo të pasur. Me sakrificat tona të përbashkëta, me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, ne do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë”, shkroi Kurti.
Kreu i ekzekutivit tha se përkundër që këtë vit Bajrami festohet siç e do tradita të gjithë duhet të kujdesen për higjienën e distancën sociale pasi pandemia është rikthyer në disa vende të botës.