Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, kanë vizituar Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të Turqisë, njofton Gazeta Enigma.
Para të pranishmëve, Kurti i falënderoi të gjithë për mikpritjen e ngrohtë që i është bërë, dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për angazhimin, kontributin dhe rolin në çdo fushë të shoqërisë turke, por gjithashtu edhe për mbarë kombin shqiptar.
Vizita e tij në Ankara dhe në Qendrën Kulturore që mban emrin e Rilindasit Sami Frashëri, përkon me 125-vjetorin e veprës së tij kryesore “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është e çdo të bëhet”, për të cilën kryeministri u shpreh se është një lloj manifesti se si duhet të duket kombi ynë, e njëkohësisht edhe çfarë rruge duhet të ndjekë ai.
“Është një gjë shumë e rrallë që një tekst i cili ka një shekull e i çerek shekulli të jetë aq aktual, kushdo që e lexon kurdo. Andaj veprat e Sami Frashërit janë vepra që rilexohen dhe të gjithë të rinjtë e të rejat duhet ta bëjnë këtë, sepse ai na e mëson gjuhën përmes kombit, edhe kombin përmes gjuhës”, citohet të ketë thënë Kurti.
Ai i ftoi studentët, nxënësit dhe mërgatën që të vijnë në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, sa herë të kenë mundësi, dhe i inkurajoi ata që të mësojnë sa më mirë e sa më shumë gjuhën shqipe, e cila tha se është një gjuhë e bukur e me sintaksë të fortë.
“Jemi komb i flamurit, por para së gjithash e mbi të gjitha jemi komb i gjuhës, i gjuhës shqipe të cilën duhet ta kultivojmë me dashuri dhe me përgjegjësi ta bartim brez pas brezi”.
“Për këtë natyrisht që më së shumti u kemi borxh, dëshmorëve e martirëve të kombit, dhe në këto ditë të pranverës në Republikën e Kosovës ne vazhdimisht kujtojmë ata që dhanë jetën, që u sakrifikuan në mënyrë që ne të kemi shtet e të gëzojmë lirinë. E liria është kryefjala e Rilindësve tanë të cilët e deshën mbijetesën e popullit në trojet stërgjyshore dhe gjithashtu e deshën lirinë e tij pakusht”, theksoi kryeministri.
Në këtë vizitë, delegacioni u mirëprit nga Koordinatori i kësaj Qendre, Serdal Vardar, ambasadorja e Shqipërisë, Blerta Kadzedaj, zëvendësambasadori i Maqedonisë së Veriut, Hanif Dauti dhe kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po studiojnë dhe përgatiten në Turqi, studentë shqiptarë të universiteteve në Ankara, së bashku me nxënës të gjuhës shqipe dhe pjesëtarë të mërgatës.
Oficerëve, kadetëve, ushtarëve, Kurti iu dëshiroi suksese e punë të mbarë, teksa e falënderoi Republikën e Turqisë “për mbështetjen që po na e jep në bashkëpunimin për mbrojtje dhe siguri”.
Ai u tregoi atyre për takimin që zhvilloi një ditë më parë me Presidentin Erdogan, por edhe me zëvendësin e tij dhe ministrin e Mbrojtjes, e më pas edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
“Marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme do t’i zgjerojmë e do t’i thellojmë në aspektin ekonomik e tregtar, të mbrojtjes e të sigurisë, kulturor e ndërkombëtar, dhe për këtë padyshim që secili prej jush, secili prej nesh jep kontributin e çmuar”, deklaroi Kurti.
Në përfundim të vizitës në Qendrën Kulturore, në Librin e Përshtypjeve kryeministri Kurti shkroi:
“Në ditëlindjen e Sami Frashërit, në vitin kur shënojmë 125-vjetorin e veprës së tij madhore ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet’ dhe 10-vjetorin e kësaj Qendre Kulturore këtu në Ankara që mban emrin e tij, nder i madh e kënaqësi e veçantë të jem këtu, e të bashkëbisedoj me miq shqiptarë që e duan dhe punojnë për kombin tonë kaq shumë”.