Kurtishi: 5% më shumë raste me kancer çdo vit në Kosovë

Kurtishi: 5% më shumë raste me kancer çdo vit në Kosovë

Në Kosovë, numri i rasteve të reja me kancer po rritet me një ritëm prej rreth 5% çdo vit, thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi.

Ai shpjegon se ky trend është rezultat i disa faktorëve, përfshirë ndotjen e ajrit, duhanpirjen apo dietat e paekuilibruara, por edhe i ndërgjegjësimit në rritje të qytetarëve për kryerjen e kontrolleve të rregullta.

Sipas regjistrit klinik të kancerit në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga janari deri në fillim të korrikut 2025 janë regjistruar rreth 1.070 raste të reja me kancer, raporton Radio Evropa e Lirë.

Të dhënat në nivel kombëtar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë dekadës së fundit, numri i rasteve të reja ka ndjekur një trend pothuajse të pandërprerë rritjeje.

Trendi i rasteve të reja me kancer në Kosovë

Viti 2023 shënoi rritjen më të madhe të rasteve të reja të diagnostikuara me kancer. Për herë të parë brenda një viti u zbuluan mbi katër mijë raste të reja.

Kurtishi thekson se një pjesë e konsiderueshme e rasteve vazhdojnë të diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes.

Ai përmend disa faktorë shtesë që ndikojnë në përhapjen dhe përparimin e saj:

“Infeksionet me viruse, përdorimi i substancave kontraceptive, mungesa e aktivitetit fizik e të tjera”.

Organet e sistemit tretës – si zorra e trashë apo stomaku – janë ndër më të cenueshmet nga tumoret malinje, siç njihen ndryshe format e kancerit.

Tumoret në gji dhe në organet gjenitale janë, po ashtu, ndër më të përhapurat.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se gjatë vitit 2024 llojet më të përhapura të kancerit kanë qenë: kanceri i gjirit me 640 raste (17.6%), pasuar nga kanceret e tjera të lëkurës me 587 raste (13.8%), ai i mushkërive dhe bronkeve me 312 raste (8.6%) dhe kanceri i zorrës së trashë me 193 raste (5.3%).

Në total, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2024 u raportuan 3.644 raste të reja me sëmundje malinje.

Sipas statistikave, 51.8% e të prekurve janë gra dhe 48.2% burra, ndërsa grup-mosha më e atakuar është ajo mbi 60 vjeç.

Rastet e reja me kancer, sipas grup-moshave

Personat mbi 40 vjeç janë ata që diagnostikohen me kancer shumë më shpesh. Numri më i madh i rasteve vërehet te grup-mosha nga 60 deri në 64 vjeç.

Prevalenca – që tregon se sa persona jetojnë me kancer në një kohë të caktuar – ishte 288.3 raste për 100 mijë banorë në vitin 2024, ndërsa incidenca – që mat rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit – arriti në 227.4 raste për 100 mijë banorë, tregojnë të dhënat e IKSHPK-së.

Sipas këtij instituti, rritja e rasteve me kancer lidhet me faktorë të ngjashëm si në vendet e tjera: ndryshimet demografike, ndotja mjedisore, mënyra e jetesës, përmirësimi i diagnostikimit dhe raportimit, si dhe mungesa e programeve të posaçme për parandalim dhe zbulim të hershëm.

Në pesë vjetët e fundit, trajtimi i pacientëve me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është shtuar dukshëm.

Rastet me kancer të trajtuara në QKUK

Nga viti 2020, numri i rasteve me kancer që trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka shkuar duke u rritur.

Megjithatë, kapacitetet e Klinikës së Onkologjisë nuk duket se kanë mundur ta përballojnë në mënyrë adekuate këtë rritje.

Kushtet në këtë klinikë vazhdojnë të jenë të kufizuara – qoftë në hapësirë, personel apo pajisje.

Aty janë gjithsej 110 shtretër për pacientët që marrin kimioterapi.

Gjithashtu, pacientët përballen shpesh me pritje të gjata, në mungesë të kapaciteteve – qoftë në mjekë, apo barna.

Stafi mjekësor thekson vazhdimisht nevojën për investime më të mëdha, të cilat edhe bëhen, por shpesh nuk mjaftojnë për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e trajtimit apo për të zbutur fluksin në rritje të pacientëve.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuar vitin e kaluar, rreth 1 në 5 persona zhvillon kancer gjatë jetës dhe afërsisht 1 në 9 burra dhe 1 në 12 gra vdesin nga kjo sëmundje.

Kurtishi thekson rëndësinë e kontrolleve sa më të rregullta, duke vlerësuar se diagnostikimi i hershëm i çdo sëmundjeje rrit ndjeshëm shanset për trajtim të suksesshëm.

Related Articles