Kusari për procesin e dialogut: Ecja me çdo kusht përpara nuk është alternativë ndaj stagnimit

Kusari për procesin e dialogut: Ecja me çdo kusht përpara nuk është alternativë ndaj stagnimit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimiza Kusari-Lila, pas kritikave për stagnim të procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë ka reaguar përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, raporton Gazeta “Enigma”.

“Kritikat nga qarqe brenda dhe jashtë vendit për stagnim në procesin e dialogut, jo vetëm që po tregojnë mungesën e reflektimit në përvojën e deritashme të pasuksesshme në këtë proces, por edhe po synojnë të krijojnë bindjen e rreme se është Kosova ajo që nuk është konstruktive”, ka shkruar Kusari-Lila.

Tutje ajo ka thënë se nuk është mençuri dhe as patriotizëm nëse mundohesh ta dëmtosh Qeverinë duke dëmtuar vendin.

“Për ata brenda vendit, të mundohesh të dëmtosh Qeverinë duke dëmtuar vendin, nuk është as mençuri dhe as patriotizëm”, ka theksuar ajo.

Ndërsa “për ata jashtë vendit, është Serbia ajo që aspak nuk qëndron në linjë me parimet e demokracisë dhe lirisë. Rasti i fundit i agresionit Rus ndaj Ukrainës, dhe rreshtimi i Serbisë krah Rusisë, është treguesi më i mirë i mungesës së çfarëdo vetëdije të Serbisë për demokraci, liri dhe integritet territorial të shteteve të pavarura”.

Sipas saj nuk është guxim dëshira për ta dëmtuar integritetin dhe sovranitetin e vendit.

“Guximi asnjëherë nuk është i barazvlefshëm me çmendurinë, përkundrazi. Prandaj, nuk është guxim ngarendja për të dëmtuar integritetin e sovranitetin e vendit. Madje kjo që po theksohet si guxim është frika më e madhe”, thuhet në postimin e saj.

“As ecja me çdo kusht përkundër dëmit që i bëhet vendit nuk është as progres e as alternativë ndaj stagnimit. Kombinimi i këtyre dy frazave ”guxim” dhe ”stagnim” në sensin e ngritjes së një urgjence për të nënshkruar me Serbinë përveçse ka qenë logjikë e negociimit të deritashëm është e rrezikshme dhe cënon pozicionin e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Kusari-Lila. /Gazeta Enigma/

Related Articles