Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka futur në “grackë” Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë e tjera të mëdha shqiptare – PDK, LDK, AAK – pasi që në aktgjykimin e fundit ka interpretuar se nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb duhet t’i takojë partisë më të madhe serbe – në këtë rast Listës Serbe, shkruan Gazeta Enigma.
LVV e Albin Kurtit, e cila e kishte parim që në asnjë mënyrë të mos votohej dikush nga Lista Serbe, tash i ka dy zgjidhje para vetes – të votojë pro një nënkryetari nga Lista Serbe dhe të vazhdohet me krijimin e Qeverisë, ose të përsërisë një skenar të njëjtë të vitit të kaluar, duke u bllokuar konstituimi i Kuvendit.
Gazeta Enigma ka dërguar pyetje drejt katër partive të mëdha shqiptare lidhur me qëndrimin zyrtar se si do të votojnë për këtë pikë, por nuk mori përgjigje nga asnjëra deri në publikimin e këtij artikulli.
Xhavit Haliti nga PDK tha shkurt për “Enigmën” se vendimi për këtë do të merret në mbledhjen e partisë.
Ndërkohë, Eman Rrahmani, i cili është në grupin e njëjtë me PDK-në, tha se personalisht do të votojë kundër çdo kandidati nga Lista Serbe.
“Nëse shkon vendi në zgjedhje, edhe më mirë. Unë personalisht mendoj se vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje”, tha Rrahmani për Gazetën Enigma.
Emilia Rexhepi: E respektoj vendimin e Kushtetueses, s’e di a do ta votojmë kandidatin nga Lista Serbe
Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Emilia Rexhepi, e cila vjen nga Partia e Re Demokratike që përfaqëson komunitetin boshnjak, ka thënë se do ta respektojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili i jep të drejtë Listës Serbe që ta ketë nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb.
Ajo tha se ende nuk kanë vendosur nëse do të votojnë kandidatët e Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
“Unë, si deputete, vazhdimisht i respektoj të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të respektohet Kushtetuta. Tash nuk e di se çfarë qëndrimi si grup do ta kemi, por patjetër, si deputetë, duhet ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës”, tha Rexhepi.
Rexhepi preferon që procesi i votimit për nënkryetarët e Kuvendit të bëhet ndaras.
“Për ne është më mirë të mos shkohet në pako votimi për nënkryetarët e Kuvendit nga komunitetet, por të votohet veç e veç për nënkryetarin nga komuniteti serb dhe për atë nga komunitetet joserbe. Do ta shohim në Parlament, në rendin e ditës, se si do të shkojë situata. Ndarja nga pako është në rregull dhe nuk përbën shkelje kushtetuese, sepse unë e kam vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarët nga komunitetet e tjera. Mundemi të votojmë edhe veç e veç”, tha deputetja në ardhje.
“Duhet një marrëveshje mes të gjitha partive”
Analisti i njohur politik, Xhavit Drenori, e vlerëson aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese si “skandaloz”, pasi deputetëve iu është imponuar që të votojnë jashtë vullnetit të tyre.
Si zgjidhje në këtë situatë, Drenori thotë se të gjitha partitë duhet të merren vesh që nënkryetarët të votohen përnjëherë në pako, në mënyrë që të mos bëhet e madhe votimi pro një kandidati nga Lista Serbe.
“Aktgjykimi është skandaloz, sepse ua ka imponuar deputetëve të votojnë jashtë vullnetit të tyre. Pra, nuk ka lënë hapësirë tjetër, pos të votohet nënkryetari nga Lista Serbe. Kurti ka deklaruar se do t’i thërrasë partitë e tjera për koordinim, pra një lloj marrëveshjeje për Presidentin, dhe besoj që në këtë pako do të duhej të hynte edhe kjo çështje, që të gjitha subjektet politike të dakordohen që nënkryetarët të votohen në pako dhe në këtë mënyrë të mbulohet pak a shumë fakti që votohet dikush nga Lista Serbe”, tha Drenori për Gazetën Enigma.
Nëse nuk ka marrëveshje paraprake, Drenori druan se Vetëvendosja mund të mos votojë pro një nënkryetari nga Lista Serbe.
“Pastaj varet nga partitë e tjera se a e votojnë apo jo. Nëse nuk e votojnë, është e qartë që do të ngecet konstituimi në këtë pikë. Unë shpresoj që kjo të kalohet e të mos kemi bllokadë, megjithatë mbetet të shihet”, deklaroi tutje ai.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese domosdoshmërisht duhet të respektohen”
Njohësi tjetër politik, Arton Muhaxheri, thotë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të vihen në diskutim dhe ato domosdoshmërisht duhet të respektohen nga të gjitha partitë politike.
Muhaxheri citoi edhe vetë deklaratën e Kurtit, i cili pati thënë se “ai që e shkel ligjin është kriminel, ndërsa ai që e shkel Kushtetutën është superkriminel”.
“Ky standard do të ishte i vlefshëm edhe tash kur VV është në pushtet”, tha Muhaxheri.
“Përndryshe, nëse partitë politike, për t’u dukur si patriotike, i shmangen këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mund të futemi në një krizë të re, vetëm pse dikujt nuk po i pëlqen një vendim i organit të vetëm që bën interpretimin ligjor të akteve normative”, u shpreh ai më tej.
Reagimi i Vetëvendosjes
Pas publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje reagoi ashpër, ndonëse nuk tha nëse do të votojë pro apo kundër një kandidati nga Lista Serbe.
VV tha se aktgjykimi dëshmon një “mungesë serioze konsistence” të Gjykatës Kushtetuese.
“Në aktgjykimin KO265/25, paragrafi 129, Gjykata konstatoi shprehimisht se moslejimi i propozimit të të njëjtit kandidat më shumë se tri herë vlente edhe në rastin e nënkryetarëve. Tani Gjykata ka konstatuar pikërisht të kundërtën, duke e ndryshuar qëndrimin e vet plotësisht. Brenda katër muajsh, për të njëjtën çështje kushtetuese, Gjykata ka ndërruar jurisprudencën pa asnjë ndryshim normativ apo faktik”, u tha në reagim.
“Një gjykatë kushtetuese që ndryshon qëndrimin për çështje identike kushtetuese, pa asnjë ndryshim normativ, faktik apo sistemik, cenon jo vetëm parimin e parashikueshmërisë së së drejtës, por edhe besimin e qytetarëve në koherencën e rendit kushtetues”, thanë më tej nga LVV.
Tutje, kjo parti tha se Gjykata Kushtetuese “nuk ka rol kontrollues mbi legjislativin, as rol arbitri politik”.
“Ajo ka vetëm një rol: autoritetin përfundimtar në interpretimin e çështjeve kushtetuese. Ky autoritet nuk i jep mandat të krijojë norma të reja, të shpikë kritere përfaqësimi apo të vendosë kushte që Kushtetuta nuk i njeh.”
Kur pritet të mblidhet Kuvendi?
Nëse PZAP refuzon ankesat e bëra nga disa kandidatë rreth numërimit, së shpejti pritet që të certifikohen rezultatet e 28 dhjetorit.
Pas kësaj, deputeti më i vjetër i Kuvendit do ta thërrasë seancën për konstituim, ku pas betimit të deputetëve, në rend dite do të jetë zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve.
E gjithë kjo pritet të ndodhë gjatë muajit shkurt.
Më pas në rend do të jenë krijimi i Qeverisë dhe zgjedhja e Presidentit.
/GAZETA ENIGMA
