Kushtetuesja e (zh)bllokoi ngërçin, LVV-ja e pakënaqur – Çka tash?

Kushtetuesja e (zh)bllokoi ngërçin, LVV-ja e pakënaqur – Çka tash?

Gjykata Kushtetuese e Kosovës dje (e hënë) shpalli aktgjykimin rreth hapave të mëtejshëm për konstituim të Kuvendit, me ngërçin për emërim të kryeparlamentarit që po mban peng institucionet tash e disa muaj, shkruan Gazeta Enigma.

Sipas aktgjykimit që u publikua në Gazetën Zyrtare, votimi duhet të bëhet në mënyrë të hapur, një kandidat do të mund të propozohet vetëm deri në tri herë dhe afati për konstituim sërish është 30 ditë.

Pas kësaj, sot Kuvendi thirri seancë për nesër, me fillim nga ora 11:00.

Mbetet të shihet nëse kandidate do jetë sërish Albulena Haxhiu, a do të votohet dhe çka nëse nuk votohet pas herës së tretë?

Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj aktgjykimit të Kushtetuesese

Partia më e madhe duket se nuk e mori edhe aq mirë aktgjykimin e plotë, duke akuzuar organin më të lartë në vend se “ka shkruar rregull të ri”.

LVV tha se “tejkalimi i juridiksionit nuk justifikohet me asgjë” dhe se “ditët vonesë për publikimin e vendimit njoftojnë pamundësinë për ta justifikuar vendimin arbitrar që cënon demokracinë”.

Rreth analogjisë së Kushtetuses për caktimin e tri herave për votim të kryeparlamentarit, duke u bazuar në numrin e njëjtë të tentimeve për votim të Presidentit, LVV tha se “nuk ka ku të qendrojë”.

“Kushtetuta ndryshe nga zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit, për zgjedhjen e Presidentit i përcakton qartë raundet e votimit edhe pasojat juridike të moszgjedhjes brenda një afati. Në arsyetimin e Gjykatës dallohet se nuk ka asgjë tjetër përpos frazave të përdorura nga PDK mbi analogjinë. Në bazë të “tezës” së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Këtë po e kërkojnë dhe thonë  eksponentët opozitarë, madje edhe në komentet dërguar kushtetueses”, u tha tutje nga kjo parti.

“LVV gjithmonë interpreton ndryshe vendimet e Kushtetueses”

Deputeti nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, thotë për Gazetën Enigma se “nuk është i befasuar” nga kundërshtitë e LVV-së ndaj aktgjykimit, “duke marrë për bazë qasjen që ka pasur ndaj organeve të drejtësisë, e në këtë rast ndaj vendimeve të Gjykatës Kushteteuese”.

“Kjo parti gjithmonë ka pasur një lloj interpretimi ndryshe për çdo vendim që është nxjerrë nga Kushtetuesja. LVV e ka interpretuar sipas interesave të veta. Mendoj se është një qasje e gabuar. Edhe deklaratat e fundit të anëtarëve të kësaj partie dhe vetë partisë ndaj këtij aktgjykimi, është një qasje komplet e gabuar”, tha Qalaj.

Deputeti i betuar tutje u shpreh se vendimi i Kushtetueses duhet të implementohet pa asnjë shmangie nga aktgjykimi dhe se sa më shpejtë të implementohet, Kosova do t’i ketë institucionet e saj.

“Gjykata Kushtetuese ka dhënë shpjegime të mjaftueshme sa i pëket mënyrës dhe procedurave që duhet ndjekur për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Nuk janë deputetët e LVV-së mbi Kushtetutën, duhet t’i bindet urdhrit”.

“Nesër kemi një mbledhje të grupit parlamentar para se të filloj seanca dhe do të shohim se si do veprohet”, deklaroi më tej Qalaj.

“Fundi i veprimit politik, për ata që nuk e respektojnë aktgjykimin”

Profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë për “Enigmën” se ka sinjale se LVV-ja me në krye Albin Kurtin mund ta zvarrisinose ta bllokojnë procesin e konstituimit, duke u bazuar nëdeklaratat e djeshme të vetë kryeminsitit në detyrë, i cili tha “ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, nëse aktgjykimi është “i pazakonshëm, i padrejtë, i padurueshëm”.

“Sinjalet janë që ata mund ta zvarrisin, mund ta bllokojnë, siç e kanë zvarritur deri tash – jo vetëm LVV por edhe partitë tjera. Por duhet respektuar, nuk ka alternativë tjetër. Do të ishte fundi i mirëkuptimit dhe tolerancës, si dhe veprimit politik, për këdo qënuk e respekton këtë afat 30-ditësh. Shteti është inekzistent, është në rrezik”.

Baraliu tha se është normale që vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të rregullta të komentohen apo tëshprehet pakënaqësi, por se duhet ta respektojnë domosdosmërisht”, theksoi ai.

“Fatkeqësisht, kritikat për vendimet e Gjykatës Kushtetuese nga kjo klasë politike nuk janë për t’u lavdëruar, sepse kur ju pëlqen vendimi thonë se është në rregull, ndërsa kur nuk iu pëlqen, e kritikojnë me të gjitha mjetet dhe mundësitë. Duhet tëvetëdijësohen përfundimisht se çfarëdo qoftë vendimi, duhet tërespektohet”, tha Baraliu në një prononcim për Gazetën Enigma.

A mund të kandidohet sërish Albulena Haxhiu?

Njohësi i punës së Kuvendit, Albert Krasniqi, tha se pasi votimi për kandidat për kryetar të Kuvendit nuk mund të përsëritet më shumë se tre herë për të njëjtin person, dhe se propozimi i parë i LVV-së për kandidaten Albulena Haxhiu ka qenë i pasuksesshëm për pesë herë, ajo nuk mund të rikandidohet sërish.

“Në vijimin e seancës konstituive, LVV duhet të propozojë një kandidat/e tjetër për këtë post”, tha Krasniqi.

Megjithatë, profesori universitar Baraliu tha se kjo nuk vlenë, pasi në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se 48 deputetët e LVV-së kanë mundësi të propozohen nga tri herë.

 Gjykata Kushteteuese po ashtu ka udhëruar që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë na votim.

Aktgjykimi po ashtu i ka shpallur të pavlefshme seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik. /GAZETA ENIGMA

Related Articles