Kuvendi dështon sërish të miratojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues

Kuvendi dështon sërish të miratojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues

Kuvendi dështoi të miratojë sërish në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor dhe Projektligjin për gjendjen civile, pasi në votim morën pjesë vetëm 45 deputetë. Në seancë plenare ishin vetëm deputetët e shumicës parlamentare, raporton Enigma.

Në lidhje me dështimin e miratimit të këtyre projektligjeve, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se seanca e sotme mund të jetë e fundit e kësaj legjislature, andaj të njëjtat rrezikohet të kthehen në pikën zero. 

“Të nderuar deputetë, të keni parasysh se për këto projektligje që s’kemi kuorum këto i kalojnë seancës tjetër kurdo që e organizojmë atë. Nëse kemi mundësi edhe një në këtë legjislaturë, nëse jo dihet se çka ndodh me ato pastaj”, tha ai.

Me 62 vota pro, ka miratuar në parim Projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, në seancën e sotme plenare.

Ky projektligj u konsiderua një moment historik nga ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, i cili tha se zhvillon sportin në Kosovë si dhe është një mundësi unike për të përmirësuar imazhin në arenën ndërkombëtare.

Për këtë projektligj, deputetët e mazhorancës votuan që të shmanget rregullorja për miratim.

“Me miratimin e këtij projektligji Lojërat mesdhetare shpallen çështje me interes të veçantë publik për Kosovën, duke reflektuar rëndësinë strategjike që ky projekt ka në dimensionet ekonomike, sportive dhe diplomatike. Ky projektligj shënon një moment historik për zhvillimin e sportit në vend dhe një mundësi unike për të përmirësuar imazhin tonë në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Related Articles