Kuvendi e miraton Projektligjin për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve e prokurorëve

Kuvendi e miraton Projektligjin për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve e prokurorëve

Kuvendi i Kosovës ka miratuar shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Me 73 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratuan këto ndryshime.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha para deputetëve se institucionet tona përfshirë edhe ato të sistemit të drejtësisë kanë nevojë për të avancuar llogaridhënien

“Njëra nga bazat e llogaridhënies është çështja e disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo rregullohet me ligj të veçantë”, u shpreh Haxhiu.

Ndryshimet në këtë Ligj u përkrahen nga Grupi Parlamentar i LVV-së, por edhe nga grupet parlamentare të partive tjera.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se çështja e përgjegjësive disiplinore për prokurorët dhe gjyqtarët ka çalu një kohë të gjatë.

“Ky ndryshim duhet të përkrahet nga të gjithë. Para se me shku te vettingu ky është një mekanizëm i rëndësishëm që duhet funksionalizuar. Ne e përkrahim një ndryshim të tillë”, ka thënë Tahiri.

Driton Selmanaj nga LDK gjithashtu tha se e mbështesin këtë ndryshim.

“Kemi shqyrtuar këtë projektligj dhe në parim i jep përkrahje”, tha Selmanaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se edhe AAK-ja e mbështet këtë Ligj.

“Ky është një ndër ligjet që është diskutuar në vitin 2019 në forumin e lartë. Është një Ligj që e forcon sundimin e ligjit dhe rrit llogaridhënien dhe përgjegjësinë në raport me gjyqtarët dhe prokurorët. Është Ligj që është në vij me procesin e integrimit evropian”, u shpreh Tahiri.

Related Articles