“Kuvendi i dështimeve” – Inatet politike mes pozitës e opozitës i lënë peng ligjet e marrëveshjet ndërkombëtare

“Kuvendi i dështimeve” – Inatet politike mes pozitës e opozitës i lënë peng ligjet e marrëveshjet ndërkombëtare

Mungesa e mazhorancës si në seanca parlamentare, edhe në mbledhje komisionare, kanë qenë evidente. Debatet dhe “inatet” pozitë-opozitë, kanë qenë në kulm në vitin që po lëmë pas, dhe si pasojë, këto “inate” kanë bërë që të dështojnë me dhjetëra seanca e komisione parlamentare, shkruan Gazeta Enigma.

Një skenar i tillë ndodhi edhe në mbledhjen e 29 nëntorit në Komisionin për Ekonomi, të drejtuar nga Ferat Shala.

Shkak për këtë është bërë një kërkesë e mazhorancës që kjo mbledhje të shtyhet për një ditë tjetër.

Megjithatë, Ferat Shala kryetar i Komisionit tha se kjo është një taktikë e përdorur nga pozita për t’i ikur debateve.

“Komisioni për ekonomi ka dështu për shkak të mungesës së mazhorancës, sepse mazhoranca të premtën që shkoi ka thirrë një mbledhje të komisionit të përshpejtume, pa prezencën e opozitës, dhe realisht ka miratuar në parim Ligjin për Fondin Sovran, i cili tashmë është pjesë e seancës së ardhëshme të Kuvendit, dhe sot nuk kanë marrë pjesë ata , për shkak se kanë arritur objektivin e tyre. Ideja ka qenë që të mos debatohet në komision për Fondin Sovran” tha Shala.

Tentimi i shtatë, dështon edhe konstituimi i Komisionit hetimor për rezervat

Për të shtatën herë ka dështuar konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore.

Kjo për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marr pjesë në konstituimi e këtij Komision. Ky bojkotim i mazhornacës është duke ndodhur pasi sipas tyre opozita nuk është duke votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Kryesuesi i këtij Komisioni Rashit Qalaj, tha se konstituimi i këtij Komisioni është duke dështuar qëllimshëm nga deputete e VV-së që të mos bëhen publike dyshimet për keqpërdorime.

Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë dështon gjithashtu, por kësaj here, për shkak të opozitës e cila vendosi ta bojkotoj atë.

Në këtë Komision, kishte për të raportuar zv. Kryeministri, Besnik Bislimi, në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbreshë Hyseni, tha se Bislimi ka qenë në mbledhje të Qeverisë, dhe në ndërkohë po priste kuorumin për të ardhë në raportim.

Ajo theksoi se është e paarsyeshme sjellja e deputetëve të opozitës, anëtarë të këtij komisioni, që nuk e pritën Bislimin.

Komisioni për Punë, Buxhet dhe Transfere, dështoi gjithashtu pasi opozita e bojkotoi mbledhjen.

Loja e “Ping Pong-ut” në tentim-bojkotimin e seancave, si pozita, edhe opozita ka bërë që komisionet të dështojnë në vazhdimësi.

Njëjtë edhe në seanca parlamentare, në mungesë të kuorumit, kanë dështuar dhjetëra seanca të Kuvendit, duke vonuar kështu në vazhdimësi, votimin e projektligjeve të rëndësishmë, duke theksuar Marrëveshjet Ndërkombëtare.

Arbër Thaci, vëzhgues i seancave parlamentare dhe komisioneve nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Gazetën Enigma se gjatë tërë këtij viti, seancat kanë dështuar shkaku i kuorumit.

“Ndonëse numri i seancave që kanë dështu është i ulët, çështja e mungesës së kuorumit e ka përcjellur Kuvendin vazhdueshëm gjatë vitit 2023 – pothuajse në çdo seancë, pika të rendit të ditës, nuk janë votuar për shkakun e mungesës së kuorumit”.

Thaci cek marrëveshjet ndërkombëtare si një ndër projektligjet më të vonuara, e cila ka shkaktuar vonesa të mëdha. Ai tha se mosrealizimi në kohë i këtyre projektligjeve, ndikon direct në cilësinë e jetës së qytetarëve, dhe tregon mos-seriozitet nga deputetët.

“Një problem si ky, përveç në konsolidimin e përshtypjes për Kuvendin, si jo mjaftueshëm serioz, shkakton edhe probleme praktike sikurse mosrealizimi në kohë i planifikimeve legjislative, nga të cilat ndikohet drejtpërdrejt cilësia e jetës qytetare. Për shembull, gjatë këtij sesioni, kemi pasur vonesa të theksuara në trajtimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare” tha ai.

Thaci tha se numri i mbledhjeve komisionare ka qenë shumë i ulët për këtë vit.

“Komisionet, disa nga ato, kanë zhvilluar aktivitet më të pakët gjatë sesionit vjeshtor, kjo për shkakun e të mungesës së kuorumit, porse në masë më të konsiderueshme, arsye për këtë pasivizim është mungesa e planifikimit të punës dhe materialeve legjislative për trajtim. Përgjithshëm, numrat [propocionalisht] flasin për rënie të akvitetit të komisioneve në sesionin vjeshtor – në përjashtim të Komisionit për Buxhet dhe atij për Legjislacion”, shtoi ai.

Thaci mendon se ekzekutivi është fajtor për zvarritjen e komisioneve parlamentari si pasojë e mungesës së planifikimit më të hershëm të agjendës.

“Në qoftëse kërkohet arsyetim subjektiv, në mendimin tim, puna e komisioneve në përgjithësi ka të bëj më rënien e aktivitetit në ligj-draftin, nga ana e ekzekutivit; ashtu sikurse, në disa raste të komisioneve të caktuara, arsyeja për pasivizim të tyre është qartazi mungesa e agjendave të planifikuara më herët”, përfundoi ai.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles