Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, mbajti sot konferencën me temën “Roli i legjislativit në adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, raporton Gazeta “Enigma”.
Kjo seancë u rganizua në kuadër të fushatës 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Familje, Kundër Dhunës Ndaj Grave dhe Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
“Jemi dëshmitarë që rastet e dhunës ndaj grave në vitet e fundit janë rritur, ashtu siç është rritur ndjeshëm edhe raportimi i rasteve të tilla nëpër institucionet e sigurisë e të ligjit. Kjo tregon se sa e rëndësishme është që çdo grua dhe vajzë e cila përjeton dhunë të çfarëdo forme, ta denoncojë atë dhe të kërkojë ndihmën e institucioneve”, tha kryetari Konjufca.
Konjufca tha gjithashtu se Kuvendi padyshim e ka një rol kyç për adresimin e këtij fenomeni, duke përmendur miratimin e shumë ligjeve të rëndësishme që mbrojnë gratë nga dhuna me bazë gjinore.
“Gjatë kësaj legjislature ne kemi miratuar edhe ligje shumë të rëndësishme që synojnë t’i mbrojnë të drejtat e grave dhe sigurinë e tyre, përfshirë këtu edhe nismën ligjore të Kuvendit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, e cila vendos në fokus të veçantë trajtimin ndërinstitucional për të siguruar mbështetje gjithëpërfshirëse për viktimat”, theksoi kreu i Kuvendit, duke shtuar se krahas rolit ligjvënës, Kuvendi do të vazhdojë të ushtrojë edhe funksionin e vet mbikëqyrës sa i përket punës së institucioneve qeveritare në këtë drejtim.
Ai përmendi gjithashtu edhe nënshkrimin nga ana e deputetëve të Deklaratës kundër dhunës ndaj grave në politikë, nën inicimin e Grupit të Grave Deputete.
“I bashkohem thirrjes për mbështetje të të gjitha grave dhe vajzave në betejën e përçdoditshme kundër çdo forme të dhunës dhe angazhohem për një përkushtim të plotë institucional në këtë luftë të përbashkët kundër dhunës ndaj grave, si dhe krijimin e një mjedisi shoqëror pa dhunë dhe pa diskriminim gjinor”, tha tutje Konjufca.