Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Glauk Konjufca, kryetar, vendosi që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 22 korrik, në orën 10:00.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në këtë seancë do të shqyrtohet Projektligji nr. 08/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa në vazhdim do të bëhet shqyrtimi i parë i shtatë projektligjeve të tjera: Projektligjit nr. 08/L-010 për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, Projektligjit nr. 08/L-011 ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-061 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, Projektligjit nr. 08/L-012 për Odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit, Projektligjit nr. 08/L-007 për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, Projektligjit nr. 08/L-022 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, Projektligjit nr. 08/L-018 për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, si dhe Projektligjit nr. 08/L-021 për tregti me jashtë.
Siç njofton Kuvendi përmes një komunikate për media, për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji nr.08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L-132 për automjete.
“Pikë e fundit e rendit të ditës e kësaj seance do të jetë shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të N.P Hortikultura për vitin 2020.
Kryesia, në mbledhjen e sotme vendosi që më 23 gusht 2021 të bëhet shpallja e konkursit për pesë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga komuniteti shqiptar, si dhe shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, thuhet në njoftim.