Në Kuvendin e Kosovës të mërkurën u diskutua për Kodin Civil me anë të së cilit lejohen martesat e gjinisë së njëjtë, ky projekt nuk kaloi në kuvend në mungesë votash.
Nga 77 deputetë sa ishin të pranishëm në momentin e votimit, pro këtij kodi votuan 28, kundër votuan 29 ndërsa abstenuan katër deputetë, shkruan Gazeta Enigma.
Të pakënaqur që nuk u miratua Kodi Civil në lexim të parë, Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë organizuan protestë të enjten para Kuvendit të Kosovës.
Sipas kësaj organizate ata shprehën pakënaqësitë ndaj neglizhencës dhe refuzimit për të shtyrë përpara të drejtat e njeriut, për të gjithë personat pa dallim, që janë të garantuara me Kushtetutë.
“Homofob, s’ki vend në Kuvend” ishte parulla kryesore e kësaj proteste, ku pjesëmarrës ishin një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.
Avokatja, Rina Kika në një përgjigje me shkrim për Gazetën Enigma, ka theksuar se sipas saj, votimi i Kodit Civil në lexim të parë me dispozitën që e lejon bashkësinë civile në mes të personave të seksit të njëjtë do të kishte qenë një hap i parë, megjithëse i pamjaftueshëm drejt njohjes ligjore të çifteve të seksit të njëjtë.
“Kushtetuta e Kosovës ia garanton secilit dhe secilës të drejtën në martesë dhe përcakton se askush nuk mund të diskriminohet në bazë të orientimit seksual”, nënvizon Kika.
Tutje ajo shton se “Nëse Projektkodi Civil nuk e parasheh martesën në mes të personave të seksit të njëjtë bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës e cila ia garanton secilit dhe secilës të drejtën në martesë dhe përcakton se askush nuk mund të diskriminohet në bazë të orientimit seksual”.
Avokatja Kika, thekson se mos ofrimi i mbrojtjes ligjore për çiftet e seksit të njëjtë është diskriminues në bazë të orientimit seksual.
“Marrëdhëniet familjare mbrohen brenda të drejtës në jetë private dhe familjare”, shton ajo.
Duke pasur parasysh këto, Kika thotë se mos ofrimi i mbrojtjes ligjore për çiftet gej dhe lezbike paraqet shkelje të të Drejtave të Njeriut.
“Në bazë të neneve 36 dhe 37 të Kushtetutës, si dhe në bazë të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me mos-ofrimin e kornizës ligjore që e mbron jetën private dhe familjare të çifteve gej dhe lezbike paraqet shkelje të këtyre të drejtave”, përfundon avokatja.
Deputetët të cilët u deklaruan kundër dhe pro miratimit të Kodit Civil
Kuvendi i Kosovës të enjten debatoi për disa orë rreth Projekt-Kodit Civil, ku mes tjerash parashihej të rregullohen dhe çështja e martesave mes gjinive të njëjta.
Disa deputetë dolën kundër Kodit Civili të propozuar, më saktë kundër martesave të gjinisë së njëjtë.
Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se ky Kod Civil nuk e ka mbështetjen e tyre.
“Sot në seancë kemi për trajtim me të vërtetë një projektkod të rëndësishëm. Shiko sa deputetë të pushtetit i kemi në sallë nuk e dimë a janë kundër kodit civil apo se keni ngreh çështje që nuk keni guxim… Mendoj që është mirë qytetarit t’ia themi troç. Jemi deklaruar kundër versionit të kodit civil. Ne mendojmë se në formën si është ky kod civil nuk e ka mbështetjen e AAK-së”, ka thënë ai.
Kundër doli edhe deputeti Erxhan Galushi i cili ka thënë se promovimi i të jashtëzakonshmes si diçka e zakonshme është fyerje ndaj shumicës së zakonshme.
“Si grup multietnik kurrë nuk mund të votojmë kundër vlerave familjare me të cilat jemi lindur”, ka thënë ai.
Ndryshe nga ajo që ndodh zakonisht, kur deputetët e Vetëvendosjes kanë qëndrim të unisuar për një çështje, kjo nuk ndodhi edhe në këtë seancë plenare.
Deputetja e LVV-së, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, i bëri deputetët të shikojnë njëri tjetrin kur tha: “Edhe në këtë sallë këtu, mos mendoni që dikush nuk është nën petkun eventual për të cilin ne sot po flasim, por është preferuar që të mbahet sekret”.
Ndërkohë, deputetja tjetër e LVV-së, Labinotë Demi-Murtezi, ka përdorur fjalë të rënda ndaj homoseksualëve, duke thënë se kjo është edhe sëmundje.
“Plotësimi i nevojave seksuale në forma të shthurura, në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut, përbën veprim që dëmton rëndë shëndetin publik, duke u bërë shkak i sëmundjeve të rënda dhe të pashërueshme siç është HIV. Duke qenë se në kuvend kemi shumë deputetë që vijnë nga sfera e shëndetësisë. I sfidoj të gjithë me radhë nëse kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë ajo.
Në debatin për komunitetin LGBTQ u përfshi edhe deputeti Dimal Basha, i cili po ashtu i reagoi deputetes Demi-Murtezi, duke e marrë shembullin e Drejtorit Ekzekutiv të kompanisë Apple, Tim Cook, i cili është deklaruar publikisht si homoseksual, duke thënë se t’i thuash atij i sëmurë është ofendim.
“Telefonat iPhone që i keni në duart tuaja, Tim Cook i bënë ata dhe e udhëheq kompaninë Apple. Ai është homoseksual. T’i thuash atij që është i sëmurë, është ofendim. Nuk po them të pajtoheni me ta, por t’ua respektoni të drejtat”, tha Basha para deputetëve.
E në anë tjetër deputeti i po të njëjtës parti, Gramos Agushollit, i cili përveç që tha se do të votojë kundër Kodit të ri Civil iu kërkoi edhe deputetëtve tjerë të veprojnë njësoj.
Kurse, deputeti i LVV-së, Artan Abrashi tha se është ndier i turpëruar që është deputet i Kuvendit të Kosovës, pasi dëgjoi kolegët e tij në mesin e të cilëve edhe disa bashkëpartiakë që u deklaruan kundër Kodit të ri Civil.
“Dëgjova shumë fjalime. Me disa u pajtova deri diku, me disa më erdhi turp me i thënë vetes që jam këtu si deputet i Kuvendit të Kosovës, por nuk po du me i përmend”, tha Abrashi.
Kurse, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kishte thënë se pas Kushtetutës, ky është dokumenti më i rëndësishëm që ka ardhur në Kuvend.
“I falënderoj të gjithë ekspertët që kanë punuar në një dokument të tillë. Rregullon fushën civile dhe shumë çështje që më nuk do të duhej të ishin konteste gjyqësore. Mendoj që është bërë avancim shumë i madh sidomos te çështja e trashëgimisë së gruas”, ka thënë ai.
Gjithashtu edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se partia e tij e përkrah këtë projektligj.
“Ne inkurajojmë qeverinë të mos ndalet me kaq. Ne si LDK kemi edhe çështje te tjera që duhet të inkorporohen në mes të dy leximeve ne këtë kod. Ne e vlerësojmë përmbajtjen dhe sjelljen e këtij dokumenti”, tha ai.
Pavarësisht thirrjes së kryeministrit, Albin Kurti që t’i japin përkrahjen e tyre Kodit Civil, i cili sipas tij përbënë një ngjarje të veçantë për vendin, prap ky kod nuk arriti ta marrë dritën jeshile.
“Ajo do të rregullohet me një ligj të veçantë. Kodi nuk është i mjaftueshëm kjo është në pajtim edhe me kushtetutën. Kodi nuk rregullon martesat. Martesa dallon nga Bashkësia civile sepse kjo mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera”, ka Kurti./Gazeta Enigma/