Mbrëmë u raportua për arrestimin e një të riu në Prishtinë, i cili dyshohet se tri vite më parë kishte rrahur një person. Pamjet e rrahjes u publikuan në rrjetin social TikTok, me ç’rast për ngjarjen u njoftua edhe Policia.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është 21-vjeçari, Behar Bahtiri.
Bahtiri dyshohet se në vitin 2019 kishte sulmuar një person, e pasi pamjet e rrahjes u publikuan gjithandej, viktima e rastit vendosi ta denoncojë të dyshuarin në Polici. Si rezultat i raportimit, i dyshuari përfundoi në stacion policor, ku u intervistua nga hetuesit policorë për dy vepra penale.
21-vjeçari gjatë intervistimit ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.
Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Sulm’ dhe ‘Ngacmim’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.