Ndryshimet opozitare në lidership kohëve të fundit kanë ngjallur debate të ndryshme në skenën politike, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ditë më parë, Partia Demokratike e Kosovës e ka rifreskuar liderin e partisë, duke e emëruar në krye të saj ish anëtarin e kryesisë i cili për disa vite me rradhë ishte anëtar i këtij subjekti, Memli Krasniqi.
Përpos, PDK-së, edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e ka emëruar, Lumir Abdixhikun si udhëheqës të partisë.
Ndryshe nga Krasniqi i cili nuk kishte kundërkandidat, Abdixhiku kishte përballë edhe dy kandidatë të tjerë, nënkryetarin e kësaj partie, Lutfi Haziri dhe anëtarin e kryesisë, Besian Mustafën.
I kontaktuar për këtë çështje, analisti Rasim Alija, ka thënë për “Gazetën Enigma” se për PDK-në, ndryshimi në strukturat partiake ishte i domosdoshëm dhe i paalternativë.
Sfidat e ndryshimeve në LDK dhe PDK dhe përballja me partinë e Kurtit
“Për PDK-në e Memli Krasniqit, do jetë një fazë testuese, në kuptimin e asaj që zgjedhja e liderit të ri të jetë si produkt i nevojave te PDK-së, e jo si presion i fitores së LVV dhe gjetjes së një emri të ri që ti bëjë konkurencë z. Kurti”, ka thënë Alija, duke theksuar se kriteret e njëjta vlejnë edhe për LDK-në.
Ai theksoi se ndryshimet në formë, përmbajtje e strukturë në LDK e PDK nuk duhet t’i përshtaten “qejfeve” e as presionit elektoral që mund ta ushtrojë LVV, duke shtuar se do të ishte lojë e humbur politike që në start nëse do ndodhte kjo përshtatje e këtyre dy partive karshi agjendes së LVV.
Sipas tij, të dy liderët Abdixhiku e Krasniqi e kanë të domosdoshme ndërtimin e profileve opozitare, kauzave me të cilat do ta sfidonin qeverisjen e Levizjes si koncept, si filozofi dhe ta dekonstruktonin të gjithë tregimin e saj që e ka ndërtuar me vite
“Kjo do marrë kohë, dhe mu për faktorin kohë, figura e Kurtit do të jetë e pa sfidueshme edhe për një periudhë, deri në ngopjen e elektoratit dhe harxhimin e entuziasmi”, deklaroi ai.
Kurse, Albert Krasniqi, analist për çështje politike, për Gazetën “Enigma” tha se zgjedhjet e 14 shkurtit e kanë dërguar një sinjal te partitë e tjera politike të cilat sot janë në opozitë që duhet të bëjnë ndryshime brenda lidershipit të tyre, që të jenë në hap me VV-në.
Krasniqi tutje ka potencuar se partitë e kanë lexuar drejt mesazhin e votuesve në Kosovë dhe i’u kanë adaptuar duke bërë ndryshime në lidershipin e tyre, ku kanë përzgjedhur kryetar të cilët janë më energjik, më të ri në moshë, duke theksuar se nuk kanë prapa vetës afera korruptive dhe kështu sipas tij janë më të gatshëm për t’u përballur me opozitarizëm, duke shfrytëzuar qeverisjen e Kurtit.
“I shoh si pozitive këto ndryshime në opozitë, mirëpo nuk e shoh se do të rrezikohet Kurti për shkak se do të marr kohë të gjatë për ta sfiduar në qeverisjen e tij. Kështu, PDK dhe LDK kanë shumë punë për të bërë brenda vetës, qoft për rikonstruktim, për organizim më të mirë por edhe ripërtrirje me kuadrot e reja për t’u ballafaquar me Kurtin”, tha Krasniqi për “Gazetën Enigma”.
A duhet pritur një ndryshim edhe për partitë e tjera opozitare?
Analisti, Rasim Alija, tutje ka deklaruar se është e rëndësishme se si do të jenë zhvillimet në AAK në të ardhmen, sepse sipas tij e ka një fuqi as sa e ka e cila mund të bëjë diferencën në raste të caktuara.
“AKR dhe NISMA janë jashtë ligës, duke theksuar se AKR nuk ka funksionuar kurrë si subjekt politik, as si forme as si permbajtje dhe si te tille janë të papeshe në zhvillimet e ardhëshme politike”, tha Alija.
Të njëjtën e thotë edhe Krasniqi, duke theksuar se për këto parti është shumë e vështirë të pritet një ndryshim i tillë sepse sipas tij akoma janë duke u drejtuar nga themeluesit e tyre.
“Kjo s’do të ndodh, pa hequr dorë nga politika apo nga pensionimi i Haradinajt, Pacollit apo edhe Limajt. Këto parti nuk kanë arritur të përfaqësojnë diçka tjetër përveç që gjithë fushatën ta bazojnë në liderin e partive të tyre. Edhe në rast se do të ketë ndryshime në këto parti, do të jetë e vështirë që këto parti të mbijetojnë pa liderët e tyre aktual”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, Alenca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma e AKR, janë partitë të cilat që tash e sa vite ballafaqohen me votën e qytetarit me kryetarin e njëjtë. /Gazeta Enigma/.