Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, tha se partia në pushtet ka arritur t’i punësojë më shumë se 100 persona në KEK, të cilët sipas tij janë të afërm të anëtarëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Po ju njoftojmë që LDK ka deponuar një kallëzim penal në lidhje me keqpërdorimet që janë bërë në konkursin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Ky kallëzim penal është një thirrje për drejtësi për mbi 4 mijë e 600 kandidatëve që ju ka shkelur e drejta e tyre nga marrëdhënia e punës. LDK ka shprehur shqetësimin se partia në pushtet është duke i kapur institucionet e pavarura dhe kjo tashmë po shihet që ka qenë një realitet”, tha Manaj.
“Partia në pushtet nuk po ndalet kështu që kemi vendosur përtej betejës politikë të vendosim në betejë ligjore”.
“Ky kallëzim penal sot kundër kryesuesve dhe anëtarëve të komisioneve të këtij konkursi publik por edhe të menaxhmentit të KEK-ut, është thirrje për drejtësi, thirrje për ndalje të keqpërdorimeve, dhe thirrje për ndaljen e nepotizmit dhe të emërimeve partiake të militantëve të VV-së në ndërmarrjet publike dhe në institucionet e pavarura”, ka thënë Manaj.
Tutje ai ka shtuar se “ky konkurs publik është shpallur ndërmjet dy rundeve zgjedhore dhe vet hapja e 125 pozitave ka qenë konkurs me ndikim politik. LDK ka shprehur shqetësimin se partia në pushtet është duke i kapur institucionet e pavarura dhe kjo tashmë po shihet që ka qenë një realitet”./Gazeta Enigma/