Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 9 shkurt të vitit 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, shkruan Gazeta “Enigma”.
Me anë të dekretit, e para e shtetit e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës, sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të një subjekti politik.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një videoje informuese kishte shpjeguar në detaje se si plotësohet fletëvotimi.
“Mënyra e votimit është kjo: Së pari, në anën e majtë të fletëvotimit, votuesi duhet të zgjedhë vetëm një subjekt politik dhe së dyti, në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të zgjedhë deri në 10 kanadidatë për deputetë të atij subjekti politik. Pra, voto vetëm një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë”, ka thënë ai.
Elezi tutje ka shtuar se procesi i votimit si në vend po ashtu edhe jashtë vendit ka pësuar ndryshime shumë të mëdha sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në një përgjgje për Gazetën “Enigma”, Valmir Elezi ka dhënë detaje për të gjitha proceset që do të zhvillohen për votuesit e diasporës duke filluar nga mënyra e aplikimit si persona që jetojnë jashtë Kosovës si dhe procesi i regjistrimit si votues që nuk jeton dhe vepron në vendin tonë.
“Procesi i votimit jashtë Kosovës në bazë të ligjit të ri përfshinë dy faza kryesore, e para aplikim për t’u regjistruar jashtë Kosovës. Gjatë fazës së parë, do të ketë një periudhë kohore kur shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë do të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Dy janë mënyrat për të aplikuar për regjistrim: njëra prej tyre do të jetë aktive, behët fjalë për aplikimin për t’u regjistruar përmes platformës elektronike. Mënyra tjetër, por kjo mundësohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, behet përmes postës, në një nga kutitë postare të KQZ-së. KQZ-ja mundëson regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës edhe përmes e-mailit personal”, tha Elezi.
Tutje Elezi ka dhënë detaje edhe se si dërgohen fletëvotimet atje.
“Në momentin e regjistrimit, votuesit do të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit, fizikisht, në përfaqësi diplomatike apo në hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit, sipas kritereve të KQZ-së, duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës dhe duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës”, deklaroi ai për “Enigmën”.
Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, tha Elezi.
“Sipas ligjit, votuesit që zgjedhin të votojnë përmes postës, pakot e tyre me fletëvotime mund t’i dërgojnë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, apo në adresë të kutisë postare jashtë Kosovës, të cilat hapen nga KQZ-ja me ndihmën e përfaqësisë diplomatike. Gjithashtu, me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, do të organizohet votim edhe në përfaqësi diplomatike për votuesit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë të votimi. Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë”, ka theksuar ai./Gazeta Enigma/