Lekaj: Qeveria Kurti s’di t’i mbrojë interesat e vendit, mjekët po ikin nga Kosova

Lekaj: Qeveria Kurti s’di t’i mbrojë interesat e vendit, mjekët po ikin nga Kosova

Ish – ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një intervistë për Gazetën Enigma, ka thënë se qeverisja e Albin Kurtit, ‘’nuk di t’i mbrojë interesat e shtetit’.



“Një qeverisje destruktive, e cila nuk ka një vizion dhe platformë të mirëqeverisjes përballë qytetarëve në aspektin e brendshëm si dhe në aspektin e jashtëm nuk po di të mbrojë interesat e shtetit të Kosovës”, tha Lekaj.

I pyetur për rrjedhën e procesit të dialogut, deputeti i AAK-së, potencoi se prezenca e përfaqësuesve të SHBA-së i ndihmon në aspektin pozitiv.

“Procesi i dialogut duket mirë kur kemi praninë e përfaqësuesve të SHBA-së në dialog, ndërsa në materie nuk jemi njoftuar për asgjë nga kryeministri Kurti. Duhet ta kemi të qartë që askush nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Kurti, nuk duhet ndërmarr veprime sa i përket temave të dialogut me Serbinë e që do e befasojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi Lekaj.

Lekaj, ka folur edhe punën e ministrit aktual të Infrastrukturës, ku sipas tij është një ministër pasiv i cili udhëheqë ministrin më aktive në vend, pasi që deri tani nuk ka përfunduar ndonjë punë për t’u duartrokitur.

‘’Projektet që i ka filluar janë anuluar duke bllokuar komplet shtetin’’.

Deputeti Lekaj me profesion mjekë, komentoi edhe fenomenin e fundit që e ka kapluar Kosovën, pra ikja e mjekëve nga vendi për shkak të kushteve “jo të mira”.

Sipas tij, ministri aktual i Shëndetësisë nuk di nga t’ia mbajë dhe se kjo ministri nuk ka qenë asnjëherë në gjendje më të keqe.

“Kosova aktualisht ka humbje të madhe në personelin shëndetësor. E kemi një ministër i cili nuk di nga t’ia mbajë, thënë ndryshe Ministria e Shëndetësisë kurrë më keq s’ka qenë”, u shpreh Lekaj.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë të Pal Lekajt dhënë për Gazetën Enigma.

Gazeta Enigma: Si e vlerësoni qeverisjen e deri tanishme të Albin Kurtit?

Pal Lekaj: Një qeverisje destruktive, e cila nuk ka vizion dhe platformë të mirëqeverisjes përballë qytetarëve në aspektin e brendshëm, si dhe në aspektin e jashtëm nuk po di të mbrojë interesat e shtetit të Kosovës.

Gazeta Enigma: A mendoni se procesi i dialogut Kosovë – Serbi është në rrugën e duhur? Nëse jo çka po e pengon atë sipas jush?

Pal Lekaj: Procesi i dialogut duket mirë kur kemi praninë e përfaqësuesve të SHBA-së në dialog, ndërsa në materie nuk jemi të njoftuar për asgjë nga kryeministri Kurti. Duhet ta kemi të qartë që askush nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Kurti, nuk duhet ndërmarr veprime sa i përket temave të dialogut me Serbinë e që do e befasojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Aleanca pret njohje reciproke me marrëveshje obligative ligjore, në kufijtë ekzistues, organizimin aktual të brendshëm kushtetues, me karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

Gazeta Enigma: Si e vlerësoni punën e ministrit të Infrastrukturës, ku po flitet se do të përfundojnë disa rrugë nacionale? Kurse si e komentoni autostradën Gjilan – Prishtinë e cila nuk ka përfunduar kur është paraparë në vitin 2020?

Pal Lekaj: Ministri i Infrastrukturës është ministër pasiv përkundër që udhëheqë ministrinë më aktive, e cila ministri është një dikaster që ndikon në proces pune edhe te digasteret e tjera duke mundësuar kështu zhvillim ekonomik të vendit. Rrugë nacionale si dhe rrugët tjera nuk janë prioritet i ministrit, apo thënë ndryshe nuk e di çfarë e ka të rëndësishme ministri në aspekt të infrastrukturës. Ende s’kemi pare një punë që duhet duartrokitur apo që ajo punë ka ndihmuar në jetën e qytetarëve. Nuk kemi investime, nuk kemi mirëmbajtje të rrugëve, nuk kemi rrugë e projekte të reja dhe për më keq edhe ato projekte të reja gjithandej shtetit janë bllokuar dhe anuluar. Mos-përfundimi i autostradës Gjilan – Prishtinë është humbje e madhe për qytetarët e këtyre lokacioneve. Ne nuk kemi informata tutje sepse ministri është i papërgjegjshëm si ndaj qytetarëve të Anamoravës që i ka hendikepuar, e gjithashtu edhe ndaj neve si spektër politik nda mos-llogaridhënia se çka do të bëhet tutje.

Gazeta Enigma: Cili është qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me arritjen e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?

Pal Lekaj: Qëndrimi i AAK-së është: 1. Asociacioni I Komunave me Shumicë Serbe – vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, marrëveshja e pare e Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve të nënshkruara nga Kosova dhe Serbia më 19 prill 2013, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, çështja Ne, KO130 / 15 dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale. 2. Të drejtat e Kishës Ortodokse serbe sipas Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi, që u garanton status ligjor sipas projekt ligjit për liri fetare. 3. Sigurimi I vazhdimësisë së të drejtave të zgjeruara të komunitetit serb, sipas orientimeve të Planit të Ahtisaarit tashmë të mishëruara në Kushtetutë, duke njohur të drejtat afirmative të komunitetit serb në vetëqeverisje lokale, në përfaqësimin qendror institucional, në të drejta afrimative në financa publike, arsim, siguri, religjion dhe gjuhë.

Gazeta Enigma: Ju si mjek me profesion si i vlerësoni rrethanat aktuale në Kosovë në këtë drejtim, ku dita – ditës shumë mjekë po largohen nga Kosova?

Pal Lekaj: Kosova krahas shumë deficiteve, ka humbje të madhe në personelin shëndetësor. Vendi ynë ka një rini të madhe të shkolluar, ku çdo vit krijohen gjenerata të arta të personelit shëndetësor, e këta mjekë e profesionistë të tjerë po detyrohen të lëshojnë vendin për shkak të mungesës së punës dhe pagave të dinjitetshme. Deri tani nuk kemi pasur qasje serioze të Qeverisë për shëndetësinë dhe personelin e saj. E kemi një ministër i cili nuk di nga të ja mbajë apo çfarë të bëjë, ose thënë ndryshe Ministria e Shëndetësisë kurrë më keq nuk ka qenë. Urojë që Qeveria Kurti të bëjë Ligjin e Pagave ashtu siç duhet për personelin shëndetësor, që sado pak të ju kthehet dinjiteti I tyre moral dhe të iu paguhet puna e artë që po e bëjnë në vazhdimësi. /GazetaEnigma/

Related Articles