Njësia për Ndërhyrjen e Shpejtë e Policisë Kufitare të Kosovës, ka parandaluar dy raste të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror dhe kontrabandës me mallra.
Sipas njoftimit të Policisë, Njësia për Ndërhyrjen e Shpejtë e Policisë Kufitare të Kosovës është duke treguar çdo ditë se është e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe veprave tjera penale ndërkufitare dhe për një menaxhim sa më efikas dhe efektiv të kufirit shtetëror.
Në këtë fushëveprim të dielën nga Policia Kufitare e Kosovës janë parandaluar dy raste të kalimit ilegal të kufirit shtetëror dhe kontrabandës me mallra.
Në rastin e parë, me datën 04.06.2023, në ora 07:30, në fshatin Koshuticë të Leposaviqit, Policia e Kosovës, konkretisht, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) ka ndaluar automjetin e tipit Golf me ngjyrë të bardhë, i cila sipër kishte të vendosur firmën TAXI.
“Automjeti që drejtohej nga i dyshuari mashkull (1962), dyshohej se kishte lëvizur nga territori i Serbisë për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës duke përdorur rrugën e cila nuk është e autorizuar për kalim kufitar. Gjatë kontrollimit të automjetit, në bagazh nën ulëset e pasme dhe nën ulësen e pasagjerit janë gjetur katër (4) paketa me mish derri dhe deleje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që në procedurë të rregullt të iniciohet rasti për “Kontrabandim me mallra” dhe “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo i vijës kufitare” ndërsa automjeti dhe malli konfiskohen dhe dërgohen në terminalin doganor për procedura të mëtejme ligjore.
“Në rastin e dytë, rreth orës 10:25 në fshatin Koshuticë në Leposaviq, është ndaluar automjeti i tipit Mercedes, ngjyrë hiri, që drejtohej nga i dyshuari mashkull (1977), i cili dyshohet se kishte shfrytëzuar rrugën e cila nuk është e autorizuar për kalim kufitar dhe kishte hyrë nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë kontrollimit të automjetit në bagazh, në ulëse të pasme dhe në ulëse tjera janë gjet (150) paketa me çokollata-Snikers”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori i Shtetit i cila ka urdheruar që të inicohet rastet në procedurë të rregullt për “Kontrabandim me mallra” dhe “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo i vijës kufitare”. Automjeti dhe malli janë sekuestruar dhe dërgohen në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme ligjore.