Lëshohet në arrest shtëpiak njëri nga të dyshuarit për vrasjet në Gllogjan

Lëshohet në arrest shtëpiak njëri nga të dyshuarit për vrasjet në Gllogjan

Është liruar nga paraburgimi njëri nga tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan të Deçanit në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar. Atij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak. Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Pejë.

Ndërkohë dy të dyshuarve të tjerë u është vazhduar paraburgimi edhe për 60 ditë.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjyaktës themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Personi që do të vazhdojë arrestin shtëpiak është Malësor Mehmetaj, ndërsa babai dhe vëllai i tij do të vazhdojnë paraburgimin.

Më 12 dhjetor të vitit të kaluar është arrestuar H.M. dhe dy djemtë e tij, K. dhe M. M. nga Gllogjani.

Në ditën e arrestimit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, tregoi se arrestimet janë kryer pas disa bastisje në disa lokacione të caktuara në lidhje me këtë ngjarje. Të arrestuarve u është konfiskuar një pistoletë dhe një pushkë kallashnikov.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona – në mesin e tyre dy nxënës – mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit./Gazeta Enigma/

Related Articles