Lidhja Shqiptaro-Amerikane: Serbia ta njohë kushtetueshmërinë e Kosovës para se të ulën në dialog

Lidhja Shqiptaro-Amerikane: Serbia ta njohë kushtetueshmërinë e Kosovës para se të ulën në dialog

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka thënë se bazuar në zhvillimet e fundit është e qartë se Kosova po bën çdo gjë të mirë në ndërtimin e demokracisë dhe zbatimin e rendit dhe ligjit, ndërsa sipas tyre Serbia po bën çdo gjë të gabuar duke përdorur kërcënime dhe dhunë në veri të Kosovës kundër KFOR-it dhe gazetarëve dhe duke rrëmbyer tre policë të Kosovës.

Në një qëndrim dërguar mediave, thuhet se shqiptaro-amerikanët e kësaj lidhjeje mbështesin qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti se Serbia duhet të njohë “kushtetutshmërinë e Kosovës”, përpara se Serbia dhe Kosova të ulen në tryezën e bisedimeve.

Përndryshe, theksohet se Kosova do të bëhet një Republika Srpska tjetër – “me pak fjalë, një shtet i dështuar dhe një problem i përhershëm për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”.

Deklarohet se për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Evropën Juglindore, njohja reciproke dhe përfshirja graduale e Kosovës dhe Serbisë në strukturat evropiane dhe në NATO është e vetmja rrugë përpara dhe kjo sipas Lidhjes Shqiptaro-Amerikane mund të arrihet vetëm me mbështetjen e parezervë të Shteteve të Bashkuara.

Në deklaratën e dërguar citohet deputetja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, e cila shërben si kryetare e Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme. Sipas tyre, ajo foli para Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar më 5 qershor në mbështetje të Kosovës, ku e dënoi Serbinë “për orkestrimin jo vetëm të bojkotit të zgjedhjeve lokale të 23 prillit në katër komunat veriore, por edhe për shkaktimin e dhunës në rrugët e Kosovës”.

“Stradner e kapi në mënyrë perfektë taktikën e Vuçiqit: të përdorë Kosovën si mjet pazaresh me Perëndimin duke e përshkallëzuar dhe më pas duke ulur dhunën etnike. Kjo është arsyeja pse ishte tronditëse që të shikohet ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier duke akuzuar publikisht qeverinë Kurti për krijimin e ‘atmosferës së krizës në veri’, dhe ambasadorin e SHBA-së në Serbi Christopher Hill duke e lavdëruar Serbinë se është një ‘partner konstruktiv’. Departamenti Amerikan i Shtetit, së bashku me Bashkimin Evropian, fatkeqësisht nuk e kanë kuptuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka ndërmend të zgjidhë konfliktin ballkanik. Qëllimi i tij është që të fitojë kontrollin ndaj veriut të Kosovës duke u përpjekur që të dominojë në Evropën Juglindore, e jo të pranojë Asociacionin e Komunave Serbe si pjesë integrale e Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e dërguar mediave.

E megjithatë, theksojnë se kur Derek Chollet, këshilltar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, u sfidua nga senatori Menendez në seancën dëgjimore të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë më 18 maj rreth realiteteve të paraqitura nga Robert F. Worth në artikullin e tij në New York Times Magazine, “Si u ndërthur lidershipi i Serbisë me Sindikata Kriminale të Kombit,” Chollet sipas tyer pranoi se dokumentacioni novator i Worth-it ishte i vërtetë.

“Kjo është arsyeja pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 23 qershor deklaroi se Kosova ‘është e gatshme për zgjedhje të reja në veri dhe për tërheqjen e Policisë nga objektet komunale në katër komunat veriore, por vetëm pasi të plotësohen kornizat ligjore për to’”, thuhet në deklaratë.

Related Articles