Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka përfillur kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj liderit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt, dhe i ka caktuar atij masën e sigurisë, paraqitje në stacion policor.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit të datës 02.02.2022 kundër të pandehurit D.M. e ka refuzuar si të pa bazuar dhe ndaj të njëjtit ka caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor”, thuhet në njoftim
“Masa e paraqitjes në stacionin policor kundër të pandehurit D.M do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar që nga data 01.02.2022 deri më 01.03.2022. Konform nenit 178 paragrafi 4 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri D.M shkel masën e shqiptua”.
“Gjykata konstaton se përmbushet dyshimi të bazuar i paraparë me nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së nuk plotësohen asnjëra nga kushtet e parapara ligjore nga neni 187 paragrafi 1 nën par 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2, dhe 1.2.3 të KPPRK-së, parakushte këto për tu caktuar masa e paraburgimit”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Ndryshe, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj është arrestuar më 01.02.2022, pasi në prostestën e organizuar nga partia e tij, kundër shtrentimit të rrymës, ai kishte goditur një zyrtar policor.
Ndaj tij ishte caktuar ndalimi policor prej 48 orësh, kurse prokuroria kishte kërkuar nga gjykata masën e paraburgimit ndaj Molliqajt. /Gazeta Enigma/.