Lladrovci pas vizitës që i bëri Thaçit dhe Veselit në Hagë: Drejtësia do të triumfojë

Lladrovci pas vizitës që i bëri Thaçit dhe Veselit në Hagë: Drejtësia do të triumfojë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vizituar sot ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli në Hagë.

Lladrovci pas takimit me ish-krerët e UÇK-së tha se drejtësia do të triumfojë.

“Gjatë kohës sa qëndrova me Hashimin, pata rastin t’i them se shpirti po na digjet për ta, ndjenjat po na vlojnë, por, kemi besim se gjithçka do të jetë në rregull dhe drejtësia do të triumfojë”, ka shkruar Lladrovci në Instagram.

Lladrovci tha se në takim Thaçi ishte plot energji, besim në veten dhe kauzën që përfaqëson, “kauzën e drejtë të cilën ia ngarkoi historia – mbrojtjen e popullit të tij dhe shtetit që u krijua nga sakrifica mbinjerëzore e atdhetarëve dhe bota demokratike, në krye me NATO-n”.

Takimi me Veselin, Lladrovci tha se ishte i vështirë, pasi, sipas tij, me jetën e tij dhe atdhetarizmin e kulluar, nuk e ka merituar as një minutë të jetë i penguar për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.

“Si çdo herë, Kadriu flet me zemër, me plot besim në rrjedhën e ngjarjeve të mira për Kosovën dhe popullin e saj, sepse ne ishim në anën e duhur të historisë, ishim të brumosur me ndjenjat më humane përballë okupimit që domosdo duhej ndërprerë, me çdo çmim”.

“Takimi treorësh, kaloi si tre minuta. Ishte e pabesueshme se sa lehtë Kadriu e interpreton të tashmen dhe të ardhmen tonë euroatlantike, vlerat e shtetit tonë, të njerëzve tanë, durimin e tij dhe heroizmin e paparë që e cilëson çdo popull fisnik – sakrificën”, shtoi ai.

Related Articles