Skuadra e Llapit ka shpërthyer me kritika ndaj gjyqtarit Genc Nuza, pasi ky i fundit ndau drejtësinë në ndeshjen Prishtina – Llapi, e cila përfundoi me rezultat 3-2 në favor të “Plisave”.
Pati polemika në atë se si u nda drejtësia, me trajnerin e Llapit Tahir Batatina që u përjashtua me kartonë të kuq pas reagimeve të tij ndaj gjyqtarit.
Kryesia e Llapit ka thënë në një komunikatë se Genc Nuza “nuk i duhet” futbollit kosovar.
Tutje në reagim ata kanë thënë se nuk do t’i ofrojnë siguri gjyqtarit Nuza në rast se ai dhe stafi i tij delegohen për ndeshjet e ardhshme në Podujevë si dhe kanë kërkuar që ai të mos ndajë më drejtësinë në ndeshjet e tyre.
Shkrimi i plotë i klubit Llapi:
Të nderuar sportdashës dhe tifozë “Legjenda”
Sot ishte një ndeshje ku futbollistët e Llapit e lanë shpirtin në fushë, luftuan dhe dëshmuan dy herë se e meritonin fitoren. Por ajo që u pa që nga minuta e parë ishte një referim tendencioz, i padrejtë dhe jo korrekt, pikërisht nga një gjyqtar që mban stemën e FIFA-s. Kjo është për t’u shqetësuar. Të gjitha ndërhyrjet ishin në favor të Prishtinës. Një gjykim i ndeshjes si ky nga Genc Nuza tregon se kampionati nuk do të shkojë mbarë pa pasoja, ku më pas do të jetë vonë, sepse djersa e kryesisë, sponsorëve, shtabit teknik dhe e lojtarëve do të humbet qëllimisht nga akterët e ndeshjes.
Genc Nuza, me stafin e tij, tregon se nuk do të ketë një kampionat të mirë dhe korrekt. Kryesia e klubit ka analizuar në detaje ndeshjen dhe sheh se tendenca për të dëmtuar Llapin ishte e pranishme, duke bërë gjithçka në favor të Prishtinës. Nuk i duhet askujt një fitore e këtij niveli. E dimë se Nuza ka anësi të vjetra që i mbështet francezët, por jo në fushën e gjelbër. Nëse nuk merren masa pikërisht ndaj treshes së gjyqtarëve, atëherë do t’ju themi se do të keni kujdes të shtuar kur udhëtoni në Podujevë, sepse askush nuk do të qëndrojë duarkryq ndaj padrejtësive të bëra.
Për 45 minuta, trajneri i Llapit është fyer dhe sharë me familje, dhe asnjëherë nuk u ndërmor masa nga delegati dhe gjyqtari i ndeshjes. A duhet të luhet një ndeshje kur publiku fyen në këtë formë një trajner, ndërsa trajneri, kur reagon ndaj tifozëve pas ndeshjes, Genc Nuza e sheh mirë dhe e ndëshkon me karton të kuq? Kush duhet ta ndëshkojë Genc Nuzën kur kemi humbur edhe ndeshje ku është vendosur titulli i kampionit, por nuk kemi reaguar sepse kemi humbur me meritë?
Por nëse Genc Nuza ka marrë misionin për të bërë Prishtinën kampion, do ta ketë të vështirë, sepse janë edhe 32 ndeshje në lojë. Ky fillim i kampionatit me referime tendencioze nuk i shërben futbollit, nuk i duhet Kosovës dhe asnjë klubi. Ky gjyqtar nuk është që nuk di, por është ai që di t’i japë kahje ndeshjes siç dëshiron vetë. Kjo u vërejt kur u pranua goli nga mesi i fushës dhe gjyqtari mori vendimin për gol ende pa biseduar me VAR-in. Kjo është tendencë.
Genc Nuza nuk i duhet futbollit të Kosovës, sepse tash kampioni duhet të zgjidhet në fushën e lojës dhe jo në këtë mënyrë. Kryesia e klubit kërkon që çfarëdo gjyqtari t’i referoj Llapit, por asnjëherë Genc Nuza, sepse jo që nuk di, por ka qëllime ndaj Llapit prej vitesh të tëra. Kjo humbje dhemb, sepse na mposhti arbitrimi, jo kundërshtari. Prandaj, nëse Federata nuk merr masa, ne si klub nuk do të sigurojmë siguri për Genc Nuzën nëse vjen në Podujevë, sepse sot ishte aktori i lojës së futbollit. Mundimi dhe djersa shumëvjeçare dhe kontributi në futboll nuk duhet të humben nga një gjyqtar. Nëse Gramos Shala u largua nga referimi për një gabim në një ndeshje, Genc Nuza duhet të largohet përjetë nga futbolli.
Kryesia e KF Llapi
31 gusht 2024