Loriana me medalje të bronztë në Grand Slamin e Abu Dabit

Loriana me medalje të bronztë në Grand Slamin e Abu Dabit

Loriana Kuka ka fituar pas një kohe të gjatë medalje në garat e nivelit të lartë të xhudos. Ajo të dielën fitoi medaljen e bronztë në Grand Slamin në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Për Lorianën ishte medalja e parë në Turin Botëror të xhudos që nga janari i vitit 2021. Këtë vit kishte fituar të artat në European Open në Sarajevë dhe në Lojërat Mesdhetare. Por këto gara nuk i takojnë Turit Botëror të xhudos.

Loriana garoi në kategorinë deri 78 kilogramë, ndërsa ditën e nisi me fitore ndaj kazakes, Nazerke Tileukhanova. Më pas e mposhti britaniken Emma Reid, që ishte bartësja e katërt. Kinezja Ma Zhenzhao e mposhti Lorianën në çerekfinale. Kinezja ishte bartësja e pestë. Në luftën e parë të repesazhit, Loriana Kuka e kaloi italianen Giorgia Stangherlin.

Ndërkohë për medalje të bronztë e mposhti francezen Audrey Tcheumeo. Finalja në fakt ishte pa hedhje. Të dy xhudistet zhvilluan luftë të fortë për gard. Dhe të dyja morën dënime për pasivitet. Në kohën shtesë, xhudistja franceze mori edhe një dënim dhe kështu Loriana fitoi me Ippon. Për Lorianën është medalja e dytë e bronztë në garat e nivelit Grand Slam. Ajo ka edhe medalje botërore e evropiane. Në Abu Dabi, Kosova fitoi medalje edhe me Nora Gjakovën, që u rikthyer në gara pas 15 muajve. Nora e fitoi të argjendtën në kategorinë deri 57 kilogramë.

Related Articles