Fushata elektorale e Lëvizjes Vetëvendosje në krye me kryeministrin aktual, Albin Kurti, i cili njëherit kandidon edhe për një mandat tjetër qeverisës, duket se nuk ka qenë krejt ‘shend e verë’.
Thënë kështu pasi drejt këtij të fundit janë hedhur një mori kritikash.
Kurti gjatë mandatit të tij qeverisës është komentuar shpesh herë për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Gazeta Enigma.
Disa herë nëpër opinionin publik është vënë në pikëpyetje partneriteti i Qeverisë me ShBA-në.
Por kjo është demantuar nga partia në pushtet. Në tubime parazgjedhore me mbështetës, Kurti ka përsëritur se “Qeveria e tij, si asnjë tjetër, i ka pasur marrëdhëniet më të mira me SHBA-në”.
“Shteti i Kosovës kurrë nuk ka përfituar nga bashkëpunimi me SHBA-në sikurse që ka përfituar Qeveria jonë në mandatin 4-vjeçar”, është shprehur ai gjatë një tubimi me mbështetësit e tij.
Megjithatë njejtë si Kurti nuk mendon edhe njeriu i afërt me Trump-in, Richard Grenell.
Së fundmi ai ka publikuar një postim në rrjetin social X, i cili morri vëmendjen e opinionit dhe në fare pak orë u shndërrua në temë diskutimi nëpër emisionet vendore.
I dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.
Në një postim në rrjetin X, Grenell shkroi se edhe republikanët, edhe demokratët në SHBA e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin “për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin”.
Ngjashëm, edhe Bashkimi Evropian, edhe NATO-ja, sipas tij. “Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenell në X.
Lidhur me këtë për Gazetën Enigma ka folur edhe njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu.
Ai ka thënë se një shkresë e tillë nuk definon dhe paraqet raportin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndonëse duhet të jemi më të kujdesshëm karshi veprimeve që ndërmerren.
“Ai (Grenell) është një njëri atipik i cili në këtë rast ka bërë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë, ashtu siç edhe në administratën e vjetër të Trumpit që pati bërë një ndërhyrje flagrante, brutale dhe rrëzoj një qeveri duke ndërhyrë në vullnetin e qytetarëve, vullnetin demokratik dhe cënimin e demokracisë në Kosovë.
Edhe kësaj radhe është në vigjilie të zgjedhjeve duke parë disponimin se partia e dikujt mund të jetë edhe fitimtare, ai ka ndërhyrë. Është një lloj ndërhyrje në punë të brendshme, nuk është as korrekte e as parimore por prej kujt vjen nuk është qudi”, tha Baraliu.
“Kjo nuk mendoj që ndikon në mardhëniet tona me ShBA-të. Sigurisht që duhet pasur kujdes sepse edhe ne nuk jemi pa mëkatet tona dhe gabimet tona sepse nuk mund të sillesh me fuqitë të mëdha botërore sic është QUINT-i, me një pakujdesi diplomatike duke i trajtuar si të barabartë, ata janë më të fuqishëm, ata janë vendimmarrës ata i kanë fatet e botës në dorë, edhe fatin tonë, andaj duhet sjellur me vëmendje dhe me kujdesin më të madh dhe me respektin diplomatik dhe miqësor sepse ne jemi aleatë dhe miq me ShBA-të“, shprehet Baraliu për Gazetën Enigma.
Ndërkaq për deklaratën e Grenell kanë reaguar edhe deputetë të partive opozitare.
Kandidatja për deputete nga PDK, Ganimete Musliu ka thënë ka thënë se kjo nuk është risi, derisa ka shtuar se ‘është e tmerrshme se në çfarë hendeku e ka futur kryeministri, Albin Kurti Kosovën në raport me SHBA-të dhe miqtë ndërkombëtarë’.
“Nuk më është dukur risi sepse e kemi thënë kaherë që ky njëri ka shkatërruar çdo relacion bashkëpunimi me miqtë tanë në përgjithësi, e me theks të veçantë me SHBA-të mirëpo nga një herë sikurse kemi nevojë me na thënë dikush nga jashtë për me i besu. Deklarata e Grenell thjeshte e rikonfirmon atë çfarë e kemi thënë me muaj të tërë sepse është e tmerrshme vetëm të mendosh se në çfarë hendeku i ka futur raportet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë e në këtë rast me SHBA-të…”, ka deklaruar ajo.
Në anën tjetër ish-ministrja e punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka thënë se fitorja e Trump ia ka përcaktuar edhe fushatën kryeministrit Kurti.
“Ne e shohim sot një kryeministër të dorëzuar totalisht nuk e ka ndërmend që të ketë një mision ta formojë një qeveri.. Mendoj që është dorëzuar kur ka fituar zoti Trump atje”, shtoi ajo.
Gjatë viteve të fundit, Kurti ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të disa vendimeve në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – që lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe. /Gazeta Enigma