Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri në Kosovë, doli më e ndërlikuar se ç’është pritur.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha aktgjykimin e shumëpritur lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, ndonëse emër konkret ende nuk është propozuar, shkruan Gazeta Enigma.
Shpërndarja e Kuvendit u anulua, pasi Kushtetuesja tha se dekreti nuk ka efekt juridik. Ndërkohë, organi më i lartë i vendit u dha afat ligjvënësve edhe 34 ditë (nga e mërkura e 25 marsit), që ta zgjedhin presidentin e ri.
Në aktgjykim, Kushtetuesja tha se në rast dështimi, pas 34 ditësh vendi shkon automatikisht në zgjedhje.
Kurti pritet ti mbledh opozitën, emri mungon Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht po deklarohet se do të zhvillojë takime me opozitën për këtë bllokadë të re në të cilën është futur vendi.
Kreu i shtetit të hënën ka thënë se është mirë që të ketë 84-86 deputetë në sallë kur të votohet emri për president.
“Padyshim që do të bëj ftesa për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët për të arritur numrin prej së paku 80 deputetëve, e po e ritheksoj: unë nuk besoj që është mirë të jemi veçse 80 apo 81, duhet të jemi rreth 84-86 që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty. Për këtë do të bëjmë edhe ftesa dhe do të ketë edhe takime, por çfarë ofertash do të ketë në ato takime duhet të presim që të ndodhin ato takime”, është shprehur Kurti.
Ndërkohë, nga LVV nuk është bërë i ditur ndonjë emër i ri për president.
Tutje, kryeparlamentarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka theksuar se i vetmi emër për president që ka siguruar konsensus ndërmjet partive politike ka qenë Murat Jashari.
“Unë e kuptoj qëndrimin e tij, nuk pajtohem, por e respektoj, sepse mendoj që do të ishte historike për Republikën e Kosovës ta ketë president të vendit dikë nga familja Jashari, me theks të veçantë zotëriun Murat Jashari”, ka thënë Haxhiu.
Por, Murat Jashari më herët ka deklaruar se nuk e pranon një propozim të tillë.
Një refuzim i tillë nënkupton se partia në pushtet nuk ka ndonjë emër të ri përmes të cilit do ta nxirrte vendin nga kjo bllokadë. Ndër të tjera, e para e Kuvendit ka deklaruar se janë të hapur për propozime nga partitë e tjera për kandidatin për president, duke përmendur edhe emrat e propozuar nga VV dhe duke theksuar nevojën që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja.
“Ne jemi shumë të hapur që të presim emra të veçantë nga ana e partive tjera politike, të cilët konsiderojnë që kanë integritet për të qenë kandidat për president, por në anën tjetër pse jo edhe të propozojmë emra të tjerë. Ne kemi propozuar personin e dytë më të votuar në Republikën e Kosovës në zgjedhjet e fundit, Glauk Konjufcën, për çka unë dhe LVV, sikurse edhe qytetarët që kanë dëshmuar me votë, kanë respekt të veçantë për kontributin e tij në periudha të ndryshme të vendit, sikurse edhe për Fatmire Mulhaxha-Kollçakun, e cila është deputete e respektuar. Por në anën tjetër, në mënyrë që vendi të mos shkojë prapë në zgjedhje, sepse jo që VV ka frikë, por qytetarët kanë nevojë të merremi me reformat që i kemi nisur”, ka thënë Haxhiu.
Zgjedhjet e reja në horizont?
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, potencon se nga politika kosovare nuk ka interes real për zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“Nga perspektiva ime, sinjalet që po jepen nga mungesa e përpjekjeve urgjente të Kurtit për t’i takuar kryetarët e partive politike për zgjedhjen e presidentit janë argumente të mjaftueshme për të kuptuar se ai nuk ka interes real për ta zgjedhur presidentin. Përkundrazi, kjo qasje lë përshtypjen e një strategjie të kalkuluar politike”, u shpreh Muhaxheri për Enigmën.
Tutje, njohësi deklaroi se kreu i partisë në pushtet ka krijuar rrethanat që të fajësojë presidenten aktuale Vjosa Osmanin dhe opozitën se pse vendi është pa president.
Gjithashtu, ai theksoi se kriza politike është e pashmangshme dhe këto veprime po e dërgojnë vendin në zgjedhje të reja.
“Atij i është dashur koha që Kushtetuta ia ka dhënë për ta përgatitur opinionin publik, duke krijuar narrativën se Vjosa dhe opozita janë fajtorët pse vendi mbetet pa president. Në këtë mënyrë, përgjegjësia zhvendoset dhe krijohet terreni për ta justifikuar dështimin institucional. Kjo situatë nuk duket si mungesë kapaciteti për kompromis, por më shumë si mungesë vullneti politik për të arritur një marrëveshje. Në fund, pasoja është e qartë: vendi shtyhet drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa kriza politike paraqitet si e pashmangshme, edhe pse mund të ishte shmangur me një qasje më konstruktive dhe më gjithëpërfshirëse”, përfundoi ai për Enigmën.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ismet Kryeziu, ka potencuar se LVV nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri as pas zgjedhjeve të reja.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta zgjedhë Presidentin pa opozitën, jo vetëm tani, por as pas zgjedhjeve të reja, nëse potencialisht vendi shkon drejt tyre. E njëjta situatë vlen edhe për partitë opozitare, si për Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilat nuk mund ta ofrojnë zgjidhje pa Vetëvendosjen. Pra, situata politike është e parashikueshme: pa kompromis nuk ka zgjidhje dhe nuk ka stabilitet politik e institucional”, u shpreh Kryeziu.
Sipas Kryeziut, VV është humbësi më i madh politik.
“Përtej humbjes së qytetarëve, VV-ja rezulton humbësi më i madh politik dhe mbi të bie përgjegjësia më e madhe. Si subjekti me shumicën parlamentare dhe që udhëheq qeverinë, ajo jo vetëm që ka më shumë përgjegjësi, por edhe më shumë për të humbur. Mungesa e vullnetit për të ndërtuar kompromis e mban të vetëbllokuar në qeverisje, duke e ekspozuar si një forcë që ose nuk dëshiron të qeverisë për shkak të vendimeve të vështira që e presin, ose synon të kontrollojë të gjitha institucionet, por nuk arrin ta realizojë këtë. Si pasojë, nuk arrin të stabilizojë jetën politike dhe institucionale. Paaftësia për kompromis i krijon hapësirë partive opozitare për ta penguar qeverisjen, një strategji që, në logjikën e konkurrencës politike, mund të konsiderohet e arsyeshme për një kundërshtar”, tha Kryeziu.
Kryeziu thekson se pjesë e këtij faji janë edhe PDK e LDK.
“Partitë opozitare si PDK e LDK ndoshta mund të dalin relativisht më pak të dëmtuara nga kjo situatë, por kjo nuk i përjashton nga përgjegjësia politike. Edhe ato janë pjesë e së njëjtës krizë institucionale dhe politike. Përtej kalkulimeve për përfitime të mundshme elektorale, mungesa e një alternative të qartë dhe e një qasjeje konstruktive ndaj kompromisit i bën po aq bashkëpërgjegjëse për ngërçin aktual. Deri më tani, këto subjekte opozitare nuk kanë arritur të ndërtojnë as një qëndrim të përbashkët politik dhe as një alternativë serioze që do të mund të ndikonte në zgjidhje”, deklaroi Kryeziu.
Ai potencon se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje.
“Ndërkohë, zgjedhjet e parakohshme po trajtohen si zgjidhje, por në fakt janë dëshmuar si një rreth vicioz: kosto financiare, kohë e humbur dhe i njëjti rezultat – asnjë marrëveshje, asnjë konsensus, krizë e vazhdueshme politike dhe institucionale. Pa kompromis dhe pa vullnet për bashkëpunim, çdo proces zgjedhor vetëm e zgjat të njëjtin ngërç. Zgjedhjet nuk janë më zgjidhje, sepse në këtë sistem askush nuk mund të fitojë dhe të qeverisë i vetëm. Kushdo që refuzon kompromisin, në fund nuk qeveris, vetëm bllokon dhe prodhon kriza”, përfundoi ai. /GazetaEnigma/
