Mantelbardhët në pritje të pagave jubilare, komunat po paditen për mos përmbushjen e obligimeve

Mantelbardhët në pritje të pagave jubilare, komunat po paditen për mos përmbushjen e obligimeve


D.B, e cila qe 45 vite punon si infermiere në QKUK në Prishtinë, tash e disa muaj është në pritje të tri pagave jubilare që Komuna e Prishtinës obligohet t’ia paguajë bazuar në marrëveshjen e kontratës kolektive të nënshkruar në qershor të 2018-s, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pavarësisht se i ka plotësuar kriteret për stazh pune, infermierja ka rrëfyer se është detyruar që së bashku me kolegët e saj ta padisin komunën, në institucionet përkatëse të drejtësisë.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, për Gazetën “Enigma”, ka thënë se disa komuna përfshirë kryeqytetin vazhdojnë të mos paguhen nga komunat përkatëse.

Në disa komuna i kanë paguar dhe nuk është shkuar në procese gjyqësore, ndërsa në ato komuna dhe në QKUK gjithë janë në procese gjyqësore, kështu që ose janë duke i paguar ose i kanë paguar, apo janë në procese gjyqësore”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se duke mos i paguar këto paga, e duke i dërguar lëndët në Gjykatë, po dëmtohet edhe buxheti shtetëror.

“Është e padrejtë me shku në Gjykatë, le që është e padrejtë për stafin shëndetësor, por këtu është një problem, këta duke mos i paguar po e dëmtojnë buxhetin e shtetit. Një gjë të cilën e kanë të obliguar me ligj e qojnë në procedura ligjore, atëherë dëmtohet edhe buxheti i shtetit. E unë vlerësoj që për këtë duhet të jap dikush përgjegjësi”, ka potencuar tutje ai.

Pavarësisht padive, Komuna e Gjilanit i paguan pagat jubilare stafit shëndetësor

Ndonëse i kanë dërguar lëndët e tyre në gjykatë, stafi shëndetësor i Komunës së Gjilanit që i plotësojnë kriteret e stazhit të punës, gjatë ditës së martë (sot), do t’i marrin pagat e tyre.

Këtë e ka konfirmuar për Gazeta “Enigma”, Arbenita Hajdari drejtoresh e QKMF në Gjilan.

“Të premten e kemi marrë listën e pagave dhe këtë muaj na kanë dal. Pra, Gjilani ka arritur që fal përkrahjes së kryetarit në detyrë, dhe drejtorisë për buxhet dhe financave me i paguar pagat jubilare për të gjithë punëtorët, kush ka pasur tri, dy apo një pagë”, ka thënë ajo.

Ndërkohë marrëveshja e nënshkruar mes MSH-së dhe Federatës së Sindikatave Shëndetësore të Kosovës obligon punëdhënësin që në vitet jubilare të punësimit personeli shëndetësor të përfitojë një pagë jubilare për 10 vjet përvojë pune, dy paga për 20 vjet dhe për 30 vjet përvojë pune ata të përfitojnë tri paga të tilla.

Ku sipas marrëveshjes shpërblimi jubilar obligohet të paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të këtyre kushteve./ Gazeta Enigma.

Related Articles